75 Mall Live Search
14:15 / E Martë, 21 Tetor 2025 / Z S

Andin Hoti shpalos detaje për gërmimet në varreza të Hajvalisë

Andin Hoti nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se nga gërmimet që janë kryer sot në varreza të Hajvalisë së Prishtinës, janë gjetur eshtrat e katër personave të zhdukur.

Hoti tha se eshtrat e katër të zhdukurve nuk është konfirmuar ende nëse i përkasin kohës së luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999.

“Ne, vetëm brenda këtij viti i kemi hulumtuar 24 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës. Nga 24 lokacione, kemi arritur me gjetë mbetje mortore në 12 lokacione, nga të cilat potencialisht mund të jenë mbetje të të zhdukurve gjatë luftës së fundit”, tha fillimisht ai.

“Deri në këtë moment, në këtë lokacion kemi arritur t’i gjejmë – prapë po them nuk janë patjetër persona të zhdukur gjatë luftës – mbetjet mortore të së paku katër personave”, tha Hoti.

Ai kërkoi nga mediat që të kenë kujdes në raportimin për çështjet e gërmimeve për personat e zhdukur.

“Një lloj shqetësimi që e kam ngritur disa herë, sot në mëngjes pas këtij raportimi që ka ndodhur në këtë lokacion dy familjarë më kanë thirur të shqetësuar tejmase duke më pyetur ‘a është prindi im, a është familjari im’. Këto raportime në media shpeshherë po ngritin shqetësime shumë të rënda te familjarët”, u shpreh Hoti.