17:26 / E Martë, 26 Maj 2020 / indeksADMonline

Andrea Bocelli pranon publikisht se u infektua nga koronavirusi

Tenori Andrea Bocelli deklaroi për herë të parë se ka qenë i infektuar me koronavirus. Sipas ANSA – që shërben si formë kooperative e botuesve kryesorë të gazetave italiane – Bocelli u tha gazetarëve në spitalin e Pizës se përjetoi simptoma të buta, ethe dhe praktikisht ishte asimptomatik.

Teksa fliste për faktin që dhuroi plazmën e gjakut për të ndihmuar sadopak në luftën kundër Covid-19, Bocelli tha se edhe gruaja dhe fëmijët u infektuan me koronavirus, por tani janë mirë.

Bashkëshortja e tij, Veronica Berti, dhuroi gjithashtu plazmën për studim. Tenori u shpreh se e kishte zbuluar faktin që ishte i infektuar me Covid-19 pas një testi të bërë më 10 mars. Ai shtoi se shpreson që plazma të ndihmojë në gjetjen e një trajtimi për virusin.

Në prill, Bocelli, i shoqëruar vetëm nga një organist, performoi në katedralen madhështore Duomo në Milano, me rastin e Pashkëve.

“Në ditën kur ne festojmë për besimin se jeta triumfon, jam i nderuar dhe i lumtur që iu përgjigja me ‘Po’ ftesës së qytetit dhe Duomo-s së Milanos. Unë besoj në forcën e lutjes së bashku. Besoj te Pashkët, një simbol universal i rilindjes për të cilin të gjithë njerëzit – pavarësisht nëse janë ose jo besimtarë – kanë nevojë në këto momente. Falë muzikës së transmetuar live, duke mbledhur miliona duar të kapura bashkë kudo në botë, ne do të përqafojmë zemrën e plagosur të Tokës,” tha ai.

Bocelli performoi “Panis Angelicus”, “Ave Maria”, “Sancta Maria”, “Domine Deus” për të përfunduar në fund me “Amazing Grace”, gjatë së cilës u paraqitën rrugët bosh të Parisit, Londrës dhe Nju Jorkut.

Performanca u ndoq live nga miliona njerëz, u rendit në #1 në Trending në YouTube dhe momentalisht numëron më shumë se 40 milionë klikime.