22:50 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Anel Rashkaj: Nuk na nevojiten lojtarë që i vendosin kushte Kosovës

Anel Rashkaj, ish-kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës ka thënë se ‘Dardanët’ janë në rrugë të mirë që të përfundojnë në vendin e parë grup, por beson se ndeshja me Azerbajxhanin është vendimtare.

Kosova këtë muaj luan dy ndeshjet e fundit në kuadër të Ligës së Kombeve, së pari me Maltën në udhëtim më 17 nëntor, ndërsa më 20 nëntor në stadiumin Fadil Vokrri e pret Azerbajxhanin.

Kosova është në vendin e parë me 8 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani që është në në vendin e dytë me 6 pikë.

Anel Rashkaj, futbollisti i AFC Eskilstunes në kampionatin suedez dhe ish-kapiten i Përfaqësueses së Kosovës në një intervistë ekskluzive për Metron ka thënë se ‘Dardanët’ janë favorit për të përfunduar në vendin e parë, ndërsa ka komentuar edhe largimin e Ardian Ismajlit në drejtim të Shqipërisë.

“Ka shumë gjasa të mëdha që Kosova të përfundojë e para në grup,” ka thënë fillimisht Rashkaj, për Gazetën Metro.

“Kosova është favorite ndaj Maltës, po ndaj Azerbajxhanit nuk do jetë lehtë, do të jetë një ndeshje e barazpeshuar. Shpresoj që përvoja e Azerbajxhanit nuk do të ndikojë shumë pasi është një ndeshje ku ka shumë rëndësi edhe përvoja.

29 vjeçari nga Prizreni beson se Kosova është përmirësuar shumë pasi tani ka zhvilluar më shumë ndeshje në arenën ndërkombëtare.

“Mendoj se Kosova ka pas nevojë për kohë dhe që të zhvillojë sa më shumë ndeshje ndërkombëtare. Në kohën e Albert Bunjakit faza e grupeve ishte shumë më e vështirë dhe atë kohë shumica e lojtarëve nuk kishin përvojën e duhur, tani mendoj se Kosova ka bazën dhe vetëm duhet që lojtarët e rinj të fitojnë përvojën dhe të ngriten në nivel.

Rashkaj ka folur edhe për largimin e Ardian Ismajlit, i cili ishte kapiten te U-21 të Kosovës dhe kaloi te kombëtarja e Shqipërisë. Ai zbulon se edhe në kohën e Albert Bunjakit ka pasur lojtarë që kanë shprehur pakënaqësi për shkak se nuk kanë luajtur, por prizrenasi thotë që asnjë lojtar nuk duhet ta kuzhtëzojë Përfaqësuesen.

“Edhe në kohën e Bunjakit ka pas lojtarë që kanë qenë shumë të zhgënjyer që nuk kanë startuar në ndonjë ndeshje, mendoj që kjo është qesharake, si mundet një lojtar me i vendos kushte Përfaqësueses për me lu startues. Këtu kemi të bëjmë me lojtar jo profesional dhe individë të tillë është më mirë mos me ti kemi në skuadrën kombëtare”.

Tutje Rashkaj foli edhe për aventurën e tij në Suedi te AFC Eskilstuna, klub me të cilin në vijim do t’i zhvillojë dy ndeshje kundër Brommapojkarna në kuadër të barazhit për t’u inkuadruar në elitën e futbollit suedez.

“Do të jetë shumë e vështirë, por kemi besim që do të fitojmë.

Mesfushori nga Prizreni e pranon që ka oferta nga disa klube suedeze, por ai nuk do të vendos për të ardhmen pa përfunduar ndeshjet e barazhit.

“Ka interesim këtu në Suedi, por nuk mund të vendosi asgjë pa përfunduar ndeshjet e barazhit,” përfundoi Rashkaj.

Rashkaj edicionin e kaluar ka qenë për një kohë të shkurtër te Prishtina dhe ai e përcjell Superligën e Kosovës. Këtë edicion beson se Feronikeli dhe Prishtina do të luftojnë deri në fund për titull të kampionit.