18:11 / E Mërkurë, 23 Nëntor 2022 / LB

Anesteziologët braktisin QKUK-në, Institucionet në gjumë (Video)

Trendi i ikjes së mjekëve nga QKUK-ja nuk ka të ndalur. Janë anesteziologët ata të cilët çdo ditë largohen nga QKUK-ja. Derisa QKUK-ja po braktisët çdo ditë nga mjekët, Institucionet e vendit, nuk po ndërmarrin asgjë, që trendi i ikjes të ndalet.

Janë vetëm 79 anesteziolog  të cilët punojnë me kapacitet të plotë në Institucionet Publike, në nivel të Kosovës, e që është numër shumë më i vogël, se sa ka qenë para disa viteve. Ndërsa në QKUK janë vetëm 45 anesteziolog.

Lulzim Emini, kryetar i Shoqatës së Anesteziologëve, në një intervistë për “IndeksOnline”, thotë se që nga pandemia, numri i anesteziologëve është zvogëluar drastikisht.

“Ky numër është zvogëluar drastikisht, sidomos prej pandemisë e këndej. Edhe në QKUK edhe në spitalet e përgjithshme, është më i vogël se sa duhej të ishte. Ngase kërkesa për anesteziolog, kërkesa për shërbime të këtij profili, është shumë më e madhe nga ana e  popullatës, se sa ne kemi mundësi të ofrojmë. Ajo që do të duhej të ishte prioritet për pushtetarët, është që të ruhet ky numër që është aktualisht”, tha ai.

Sipas tij me numrin aktual të anesteziologëve, nuk plotësohen as kërkesat optimale.

“Kur ne sot po bisedojmë, numri i anesteziologëve është më i vogël se para dy muajve, se para 6 a 7 muajve. Në nivel vendi kemi aktiv në institucionet publike kemi 79 anesteziolog. Më pak se 80. Numri është i vogël. Numri do të duhej për të plotësuar kërkesat optimale, jo maksimale numri i anesteziologëve vetëm në QKUK do të duhej të ishte 120. Në nivel vendi do të duhej të ishte 240 deri në 280 anesteziolog. Në bazë të kësaj ju e shihni cila  është mungesa  për kushte optimale”, tha ai.

E QKUK-ja, vitin që vjen do ta filloj dhe me dy anesteziolog më pak. Pasi që nga dhjetori i këtij viti, do të largohen dhe dy anesteziolog, të cilët tashmë kanë ofruar dorëheqjen. Emini thotë se institucionet duhet të ndërmarrin diçka, pasi që gjendje veç se është e rënduar.

“Vetëm këtë muaj, deri me datën 1 dhjetor dy anesteziolog do ta lëshojnë punën. Më herët e kanë lëshuar dhe 3 , 4…Nuk do të duhej si shifër e tillë e kanë lëshu 2 apo tre. E rëndësishme është sa kemi ne në institucione publike dhe hapat që duhet të ndërmerren, që të mos rëndohet gjendja më tutje, e cila dhe tani është e rënduar”, tha ai.

E nëse trendi i ikjes vazhdon,  Emini thotë se pacientët do të detyrohen të kërkojnë ndihmë, në institucione private.

“Gjendja do të jetë që pacientët do të kërkojnë ndihmë në institucionet private. Do të duhej të gjejnë para borxh..Për të mos ardhur në këtë pozitë populli jonë, për të mos ardhur pacientët tanë në këtë pozitë, është dashur të mendohet pardje, dje ka qenë vonë”, tha ai.

E për këtë gjendje të rënduar Emini thotë se i ka njoftuar personalisht  menaxhmentin e SHSKUK-së dhe Ministrinë e Shëndetësisë, por se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.

“Menaxhmenti në SHSKUK është i njoftuar dhe ai aktual dhe i kaluari. Ministrat e shëndetësisë dy të fundit, kanë qenë të njoftuar. Personalisht i kam informuar lidhur me trendin…Kanë qenë të njoftuar në kohë reale atëherë. Janë të njoftuar dhe përditësuar me informata të reja. Ne në periferi në institucione,  ende nuk kemi parë ndonjë veprim të tyre”, tha ai.

Emini i cili ka shumë vite që punon në QKUK, thotë se nuk e ka ndërmend të largohet nga aty. Sepse për të primar është interesi i publikut dhe jo interesi i tij personal.

“Po të ishte ne që punojmë në institucione publike, sikur të kishim prioritet pagën tonë, sigurisht që më lehtë është të qëndrosh në shtëpi, të mos punosh fare, se sa të shkosh për atë pagë të punosh në institucion publik”, tha ai./IndeksOnline/