18:08 / E Hënë, 15 Prill 2024 / Gj. Sh

Anëtarësimi i Kosovës në KiE/ Begaj: Shqipëria e ka për detyrë të jetë avokate e mirë e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria e ka për detyrë të jetë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Begaj ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore, e se të dyja shtetet duhet të angazhohen sa më shumë “për popullin tonë”.

Ai ka shtuar se pret një votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës për anëtarësimin e Kosovës, të martën.

“Është gjithmonë kënaqësi të jem në Kosovë siç e them shpesh në shtëpinë time të dytë. Është kënaqësi të marr pjesë në forumin e rëndësishëm të grave për paqe e siguri. Ne duhet të mësojmë nga historia, duhet ta vlerësojmë mirë atë sepse përveç jetëve të humbura që duhet të nderojmë, duhet të nderojmë edhe ata njerëz që janë dhunuar gjatë asaj kohe dhe kush më shumë se sa gratë e kanë ndjerë këtë lloj dhunimi dhe mendoj që dhuna është e papranueshme e pajustifikueshme në çfarë do forme duhet dënuar duhet të mos arkivohet dhe duhet asnjëherë mos të përsëritet natyrisht”.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve nuk do ti quaj shumë mirë politikisht siç është termi i zakonshëm po janë marrëdhënie të jashtëzakonshme, të mira dhe vëllazërore. Jemi dy shtete por jemi një komb dhe kemi për detyrë të jemi afër njëri tjetrit në ditë të mirë dhe të këqija.  Marrëdhëniet ekonomike duhet të zhvillohen përmes marrëveshjeve që janë firmosur. Janë në rehabilitim porti Durrësit apo hekurudha. Janë të rëndësishëm për mirëqenien e popujve tanë. Natyrisht në marrëdhëniet ndërkombëtare një nga vlerat e Shqipërisë  është që politika e jashtme  është e linjëzuar  duke qenë pas një mandati të suksesshëm në Këshillin  e Sigurimit, duke  mbrojtur vlerat e mëdha njerëzore. Natyrisht, Shqipëria e ka për detyrë dhe do ta bëj gjithmonë këtë detyrë, të jetë avokate e mirë për Kosovën që të sjell njohje të reja për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”.

“Jam shumë me shpresë që nesër do të kemi një votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës dhe kjo do të na japi akoma më shumë frymëzim për të bërë punë më të mira për të ardhmen. Dëshiroj shumë që bashkëpunimi ynë të vazhdoj, kuptohet që duhet të respektojmë njëri tjetrin të dëgjojmë  njëri tjetrin dhe patjetër të marrim këshilla dhe ti dëgjojmë ndërkombëtarët”, ka thënë Begaj.