20:27 / E Diele, 01 Tetor 2017 / indeksADMonline

Anëtarët e Komisionit të ri për matjen e territorit, larg daljes në teren

Ndër shkarkimet e para që bëri kryeministri i tanishëm i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte pikërisht, Komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Madje Haradinaj shumë shpejtë ka emëruar edhe anëtarët e rinj të këtij Komisioni të cilët do të merren me çështjen e demarkimit.

I kontaktuar nga Indeksonline, njëri nga anëtarët e këtij komisioni, Florim Isufi ka bërë të ditur se për dallim nga komisionet e kaluara, ky komision ka më shumë material para vetes dhe shumë më shumë punë për të bërë.

Madje i pyetur nëse komisioni tashmë ka filluar punën në teren, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk po bëhet ende pasi po vazhdon hulumtimi i dokumentacioneve të shumta të cilat kanë para gjithë anëtarët e këtij komisioni.

“Kemi filluar punën dhe jemi duke harmonizu dokumentacionin, ka jashtëzakonisht shumë dokumentacione dhe na duhet kohë për të ndarë, atë çka mungon çka jo, çka duhet kompletuar e gjithçka tjetër, dhe më pas të vazhdohet me punën në teren.Ende nuk është filluar me punën në teren as me hulumtimin e dokumentacionit të ri, vazhdojmë me atë që e kemi prezent një herë”, ka thënë Isufi për Indeksonline.

I pyetur nëse mund të parasheh një afat kohor lidhur me fillimin e daljes në teren për demarkimin e pikës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, ai ka shtuar se nuk ka një afat të paraparë ende.

“Nuk mund të parashoh një kohë se kur do të fillohet pasi ka shumë material që do të hulumtohet dhe duhet të gjindet një harmonizim me materialin që është në dispozicion. Nuk e di nëse do të jetë mujorshe apo disa mujorëshe. Është një numër i madh i anëtarëve të Komisionit dhe sigurisht se secili ka idetë e veta dhe punën e vet se si do t’i qaset”, ka shtuar Isufi.

Ai po ashtu ka theksuar se komisionet e kaluara kishin më pak gjëra para vetes për të ardhur në përfundim të rezultatit.

“Unë besoj se për një afat kohor optimal do të bëhet. Nuk është punë si e komisioneve të tjera, komisionet e tjera kanë pas ma lehtë të punojnë dhe këtu është p unë më vulimonze.Nga komisioni ndërkombëtar që ka qenë nga Atifetja, nga komisioni i Qeverisë së kaluar, ai nga Presidenca, ata e kanë pas punën ma të lehtë, më ndryshe sepse kishin më pak gjëra për të ardh në përfundim të rezultatit” ,ka përfunduar Isufi.

Duhet përkujtuar që përfaqësuesit e huaj në Kosovë vazhdojnë të shprehen të bindur se çështja e demarkacionit me Malin e Zi është njëra ndër pikat kyçe për liberalizimin e Kosovës, duke mos harruar luftimin e krimit dhe korrupsionit.