75 Mall Live Search
12:06 / E Enjte, 31 Tetor 2019 / indeksADMonline

Anëtarët e KQZ-së ironizojnë me vendimin e Supremes, thonë se po bastardohet procesi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës për të diskutuar pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila ka vendosur që të numërohen votat e ardhura nga diaspora pas afatit ligjor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se nuk mund ta komentojë vendimin porse si institucion janë të obliguar ta zbatojnë atë.

Të ashpër kundër këtij vendimi të Supremes kanë dalë dy anëtarët e KQZ-së, Sami Hamiti i LDK-së dhe Ilir Gashi i PDK-së. Madje ky i fundit ka ironizuar me vendimin duke i pyetur anëtarët e KQZ-së se duhet të shikohet edhe sot posta mos ka ardhur ndonjë votë.

Ai ka pyetur, po ashtu se tani çfarë do të ndodhë me 1.700 zarfe të tjera me vota të cilat kanë ardhur më 17 tetor.

E anëtari tjetër Sami Hamiti ka thënë se me këto vendime po bastardohet procesi zgjedhor. Ai ka përmendur edhe rastin e votave të ardhura nga Serbia, e që sipas tij nuk është dashtë të pranohen për mënyrën se si kanë ardhur.

Kurse Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga VV ka thënë se sikur vendimi të merrej më herët për tu numëruar ato vota sot nuk do të kishim diskutuar për këtë çështje. Ai ka thënë se vendimi i Supremes është i drejtë, ani pse aktgjykimi e ka ndryshuar ligjin e zgjedhjeve. Me këtë vendim të supremes Rrustemi mendon se është plotësuar Ligji i zgjedhjeve./Indeksonline/