75 Mall Live Search
14:55 / E Martë, 29 Shtator 2020 / indeksADMonline

Anëtari i Kryesisë së PDK-së i numëron Albin Kurtit njerëzit me të cilët nuk mund ta mbrojë UÇK-në

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Albin Kurti nuk mund ta mbroj UÇK-në dhe luftën e saj, pasi ai vet i ka bërë kërkesë Gjykatës Speciale që të veprojë më shpejtë kundër saj.

Gjoshi ka thënë se Kurti nuk mund ta mbroj luftën e UÇK-së, duke bërë emërimet që i ka bërë me Shkelzen Gashi si këshilltar të tij, me Haki Abazin si Zëvendëskryeministër e me Erzen Vraniqin që i ka qëndruar gjithmonë pranë.

Postimi i plotë i tij:

Njeriu që i bënte kërkesë speciale Gjykatës Speciale që të veprojë më shpejtë kundër UÇK-së, paturpësisht paska thënë se ai dhe partia e tij janë të vetmit që mund ta mbrojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë po e thotë hiç më pak se njeriu që i bëri 3 emërime sa ishte kryeministër. Ai nuk mundet ta mbrojë UÇK-në sepse vetë këto emërime flasin se ai është kundër UÇK-së.

T’i shkojmë me radhë –

1.

Albin K. nuk mund ta mbrojë UÇK-në me Shkelzen Gashin që e kishte emëruar këshilltar të tij në Qeveri dhe shkonte nëpër studio televizive duke akuzuar rrejshëm UÇK-në për krime. Nuk mund të mbrohet UÇK-ja me këshilltar që flasin sikur të ishin zëdhënës të Vukqeviqave të Serbisë.

Nuk mund ta mbrojë UÇK-në një kryeministër që ditën kur e shkarkoi këshilltarin e tij për këto shpifje për shkak të presionit të madh publik, e inkurajoi atë që të vazhdonte t’i trumbetonte këto akuza.

2.

Albin K. nuk mund ta mbrojë UÇK-në me Haki Abazin që e kishte emëruar zëvendës të tij në Qeveri. Pas vetë shefit të tij, Haki Abazi është ndër shpifësit më të mëdhenj kundër njerëzve të UÇK-së. Askush nuk ka bërë deklarata sa ai kundër njerëzve të luftës. Askush nuk ka hedhur baltë mbi ta si ky njeri.

3.

Qysh po don Albin K. me mbrojtë UÇK-në me Erzen Hamdi Vraniqin? A mund të mbrohet UÇK-ja me djalin e Hamdi Vraniqit që ka dhënë leje të ndërtohet Kisha e Sllobodan Millosheviqit dhe e Arkanit në oborrin e UP-së?

Nuk mund të mbrohet UÇK-ja me njerëz të tillë. Nuk mund të mbrohet UÇK-ja as nga Albin K. si shef i tyre. Vetëm ky njeri nga dita e parë e ka shtruar si nevojë që UÇK-ja të mbrohet.

UÇK-në e mbron lufta e pastërt dhe e drejtë për liri.

Kaq e thjeshtë është.

#Mashtrues