Anëtari i LDK-së: Kurti është i interesuar që dialogu me Serbinë të përcillet me kriza

Anëtari i departamentit për politikë të jashtme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Berisha, thotë se kryeministri Albin Kurti është i interesuar që dialogu me Serbinë të përcillet me kriza. Ai kritikoi shefin e ekzekutivit se ka rënë në kurthin e Serbisë për të diskutuar për tema teknike dhe pwr tw anashkaluar marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha, ka thwnw se kryeministri Kurti tregoi jo seriozitet dhe jo maturi edhe me dy vendimet për reciprocitet në dokumentet e udhëtimit për qytetarët serbë dhe për targat ilegale.
“Në vend që të vazhdojë dialogun me platformën e ish-qeverisë Hoti dhe koordinatorit të atëhershëm Hyseni, që dialogu të fokusohet në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe çështje teknike. Kurti ka rënë në kurth në qasjen e Serbisë që diskutohet për tema të caktuara, normalizimi përmes zbatimit të marrëveshjeve. Kjo ka dhënë kriza të vazhdueshme dhe si duket edhe vet Kurti është i interesuar që dialogu të përcillet me kriza. Sa i përket Serbisë, asaj i konvenon status-quo dhe do të tentojë të shtyjë më gjatë duke krijuar situata që dinë të krijojë një ish-ministër i Millosheviqit”, thotë ai.
Ai tha se rrëshqitja në tema teknike, të cilat, sipas tij, janë të pafundme, e zgjasin status-quo-në e procesit të dialogut.
“Këto tema janë largim prej temës kryesore dhe janë humbje kohe. Kosova nuk e ka problemin te targat, por problemi kryesor është mosintegrimi dhe mosnjohja nga pesëshja evropiane dhe qëllimi për t’u integruar në NATO. Kosova këtu duhet të fokusohet se marrëveshja gjithëpërfshirëse të jetë serioze në kërkesën e saj, në mënyrë nëse Serbia tregohet palë destruktive, atëherë pesëshja evropiane të mos ketë më argumente që të mos njohë Kosovën. Ndërsa rrëshqitja në tema teknike janë tema të pafundme që e zgjasin status-quo”, thotë ai.
Berisha kërkon nga kreu qeveritar që të ofrojë një zgjidhje për asociacionin e komunave me shumicë serbe, sidomos pas nënvizimit të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar se ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Asociacioni është paraparë vetëm në kuadër të kushtetutës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese ka bërë korrigjimet e duhura dhe përsëriti diplomati Escobar se s’ka shtet në shtet, por ka një asociacion që është brenda Kushtetutës së Kosovës”, deklaron ai.
Berisha i cila ka qenë edhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, adreson akuza ndaj ekzekutivit për degradim të politikës së jashtme.
“Fatkeqësisht nuk ka politikë të jashtme. Ka një administrim të brendshëm të keq, me ndryshimin e rregulloreve që janë aprovuar në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Pozicionimi i aktivistëve të LVV-së në pozicione, shkarkime, e gjithë politika e jashtme është shndërruar në aktivitete të brendshme. Ministrja e ka reduktuar në Ministri të Diasporës dhe de fakto ministrja e Jashtme nuk funksion, pasi vetë ministrja është jo kompetente, e papërgjegjshme dhe e papjekur për atë detyrë”, përfundon Berisha./KP