75 Mall Live Search
11:21 / E Mërkurë, 14 Janar 2026 / KV

Anëtari i PDK-së në KQZ kërkon skanimin e fletëvotimeve

Anëtari i Partisë Demokratike e Kosovës në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka kërkuar që në zgjedhjet e ardhshme të aplikohet skanimi i fletëvotimeve, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri për ruajtjen e integritetit të votës.

“Nuk e di sot cila është kostoja e skanimit të fletëvotimit, por e di që integriteti i votës nuk ka çmim. Prandaj, në zgjedhjet e ardhshme është domosdoshmëri skanimi i fletëvotimit për të ndalur abuzimet e komisionerëve të partive politike, pa dallim”, ka deklaruar Gashi, transmeton IndeksOnline.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ-ja ka marrë vendim për rinumërim.

Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% e vendvotimeve: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

Ndërkaq, në 28 komunat tjera do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve:
Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Procesi i rinumërimit po zhvillohet në përputhje me vendimet e KQZ-së, derisa palët politike kërkojnë masa shtesë për rritjen e transparencës dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor.