75 Mall Live Search
17:53 / E Mërkurë, 27 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Anëtari i PDK-së në KQZ: Procesi zgjedhor u lëndua dhe kishte shumë ndërhyrje

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi ka paraqitur një deklaratë pas votimit të vendimit të KQZ-së për çertifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Edhe pse votoi Pro, njëjtë si nëntë anëtarët tjerë të KQZ-së, ai ka paraqitur vërejtjet e tij për procesin zgjedhor.

“Unë do të votoj për të çertifikuar këtë rezultat edhe pse jam i vetëdijshëm se po bëjmë shkelje të standardeve të 12 viteve të fundit duke mos i lënë mundësi ankimimi sidomos 7 kandidatëve të cilët i kanë humbur mandatin e deputetit pasi para 20 ditësh i kemi shpallë si deputetë”, tha Gashi.

Gashi ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të stërzgjatej sikur KQZ-ja të mbështeste idenë e liderit të partisë të PDK-së, Kadri Veseli për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve menjëherë pas ditës së zgjedhjeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Anëtari i KQZ-së ka thënë edhe se ky proces zgjedhor është përcjellë më shumë të meta edhe si rezultat i shumë ndërhyrjeve, ndërsa ka kujtuar edhe siç ka thënë ai loja që është bërë me votat e ardhura nga Serbia dhe votat tjera që janë pranuar pas të gjitha afateve ligjore.