Anëtari i PDK-së në QKN në Mitrovicë: Janë gjetur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serik nga ai i vendvotimit
Anëtari i PDK’së në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, Jahiq Sumiqi, është deklaruar rreth ndërprerjes së procesit të numërimit të votave.
Sumiqi ka thënë se janë gjetur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë, pra numri serik dallon prej numri i vendvotimit.
Ai e ka cilësuar këtë si inxhiniering të organizuar.
“Janë gjetur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë, pra numri serik dallon prej numri i vendvotimit. Kryesisht fletëvotimet kanë lëvizur nga shkolla “Migjeni” në “Abdullah Shabani”, dhe prej Universitetit në shkollën e Zhabarit. Pra, ka parregullsi të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Sumiqi para mediave.
Sipas tij, shumica e këtyre fletëvotime janë me vota për VV’së, teksa thotë se ka edhe me vota për PDK’në.
“Kryesisht fletëvotimet të cilat janë gjetur që kanë lëvizur nga vendvotimi në vendvotim, afër 70 përqind e tyre janë të Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ajo çfarë ka ndodhur për të fshehur gjurmët e tyre, janë disa edhe me votat e PDK’së, mirëpo ato janë pak. Ne dyshojmë se ato janë bërë për të mbuluar gjurmët e këtij inxhinieringu të paparë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë”, ka deklaruar ai
Ai tha se si PDK bashkë me partitë tjera që janë në koalicion, e kanë bojkotuar procesin.
“Ne si PDK e kemi bojkotuar procesin pasi që është kërkuar nga prokurori i rastit që ta shkelim ligjin. Ne jemi kundër shkeljes së ligjit. Ne si PDK në bashkëpunim me koalicionet që jemi si PDK’, me LDK’në, Aleancën, kemi vendosur ta bojkotojmë numërimin e votave deri në këto qaste”, ka thënë ai.

