75 Mall Live Search
20:12 / E Hënë, 23 Shkurt 2026 / F.R

Angazhimi FSK-së në Gazë, hap strategjik për afirmim ndërkombëtar

Derisa liderët institucionalë e partiakë po përpiqen të gjejnë zgjidhje për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, Kosova pritet të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, përmes angazhimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si hap strategjik për afirmimin ndërkombëtar të vendit. Trupat e FSK-së do të shërbejnë përkrah forcave të shteteve partnere, në një operacion që synon ofrimin e paqes dhe sigurisë.

Njohës të fushës së mbrojtjes e vlerësojnë këtë si një zhvillim të rëndësishëm për avancimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe forcimin e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.

Çdo ditë e më shumë Kosova po dëshmon gatishmërinë e saj për të kontribuuar në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë globale. Republika tashmë përmes Forcës së Sigurisë do ta tregojë potencialin në ofrimin e paqes, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare për Stabilizimin e Gazës.

Ende nuk dihet se në cilën zonë do të dislokohen trupat e FSK-së, por ajo që dihet është se ato do të shërbejnë krah trupave të shteteve të para si Shqipëria, Indonezia, Kazakistani dhe Maroku. Për ish-ushtarakë kjo po vlerësohet arritje e jashtëzakonshme për Kosovën. Madje ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, tregon edhe për besueshmërinë e SHBA-së ndaj ushtrisë së vendit.

“Do të jetë një e arritur shumëdimensionale. Në rend të parë, do të fitohet një përvojë në një forcë stabilizuese, gjithashtu do të fitohet përvojë me shtetet anëtare të NATO-s dhe me SHBA-në, si dhe do të ketë përafrim me standardet dhe procedurat e tilla”, tha Kastrati.

Duke parë përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së, Kastrati ka treguar se në cilat fusha pjesëtarët e Forcës së Sigurisë mund të japin kontributin e tyre.

“Unë mendoj që kemi kapacitete dhe jemi liderë në rajon në fushën e deminimit sepse atje janë zbrazur shumë bomba, raketa dhe është rrezik potencial, tha Kastrati.

 Edhe drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, thotë se FSK-ja e ka dëshmuar në vazhdimësi aftësinë profesionale për të ofruar paqe në botë.

“Në çfarëdo kapaciteti që vlerësohet se duhet të angazhohet nga trupat e FSK-së, unë jam i bindur se Kosova e ka dëshmuar gatishmërinë, vullnetin dhe profesionalizmin e forcave të saj për kontribut paqësor kudo në botë”, tha Fetoshi.

Ndërkohë, në një përgjigje para disa ditësh për RTK-në, Ministria e Mbrojtjes tha se përmes këtij angazhimi Kosova synon të japë kontribut të përgjegjshëm dhe domethënës në përpjekjet për stabilizim dhe ndërtim të qëndrueshëm të paqes.