Angazhimi i “Civilna”-s ilegale, Njësia Speciale…, si filloi dita sot në Veriun e Kosovës!

Veriu është “zgjuar” i heshtur ditën e sotme, pas vendimit të Qeverisë Kurti për shtyrjes së vendimit për shqiptimin e gjobave për targat ilegale serbe.
Ajo që bie në sy ishin grupacione të serbëve, konkretisht pjesëtarë të “Civilna Zastita”, të cilët vëzhgonin automjetet që futeshin në qendër të Mitrovicës Veriore.
Indeksonline ka qëndruar edhe në disa pjesë ku Njësitë Elite të Policisë së Kosovës ruanin territorin e vendit.
Kujtojmë se kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka pranuar kërkesën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe ka shtyrë për 48 orë fillimin e fazës së gjobitjes për qytetarët që kapen brenda territorit të Kosovës me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.
Kurti, mbrëmë në Twitter, ka falënderuar ambasadorin amerikan për përkushtimin e angazhimin.
“Unë e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orë të fillimit të gjoitjes për targa ilegale ‘KM’ (dhe tjera). Jam i lumtur të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Ndërsa, në një deklaratë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thuhet se është kërkuar kjo kohë që të lejohet BE-ja dhe SHBA-ja për të angazhuar palët që të gjejnë zgjidhje.
“SHBA-ja është e shqetësuar që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk ishin në gjendje të arrinin një marrëveshje sot për zgjidhje të krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë për 48 orë dhënien e gjobave për të lejuar BE-në dhe SHBA-në të angazhojnë më tepër palët për gjetje të një zgjidhje”, thuhet në deklaratë. /Indeksonline/