08:03 / E Hënë, 18 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Anglezët kujtojnë kosovarët kur ishin refugjatë, sjelljen e mirë të punëtorëve në aeroport dhe mikpritjen në Prishtinë

Kosova humbi me rezultat 4:0 nga Anglia gjatë mbrëmjes së kaluar.

Por rezultati duket sikur ishte fokusi i fundit për të gjithë, pasi kosovarët u përkujdesën në mënyrë fantastike që anglezët të ndihen sikur në shtëpitë e tyre.

Duke i falënderuar për ndihmën e dhënë 20 vite më parë, kur Kosova ishte në gjendje të rëndë nga lufta dhe duke i falënderuar për ndihmën në integrimin e Kosovës dhe sidomos në fushën e sportit, kosovarët në çdo detaj iu uruan mirëseardhje të ngrohtë gjatë këtyre ditëve sa ata qëndruan në Prishtinë.

Falënderime të shumta pati nga këta tifozë që qëndruan në Kosovë, e shumë prej tyre zgjodhën edhe rrjetin social Twitter për të thënë  se sa të shoqërueshëm e mikpritës ishin kosovarët për ta.

“Nuk mund të besojë se sa miqësorë ishin të gjithë në Prishtinë. Madje edhe njerëzit tek pasaportat në Aeroport ishin të shoqërueshëm. Kjo kurrë nuk ndodhë”, ishte një nga shkrimet.

“Një falënderim masiv ndaj Kosovës dhe njerëzve të saj për mirëseardhjen fantastike. Kohë e mrekullueshme, mezi presim të kthehemi përsëri”, u shkrua në një nga faqet e fansave të Anglisë në Twitter, transmeton Indeksonline.

Dikur zgjodhi edhe të bëjë një krahasim të kohës së luftës me periudhën e tanishme.

“Vazhdoj të mbajë mend refugjatët kosovarë kur vinin në shkollën time në vitet e 90’ta, anglishtja e tyre nuk ishte e mirë, por futbolli nuk ka barriera. Tani ne i shoshim ata teksa luajnë me vendin tonë. Krenari”, shkroi ai.

“Birra në Prishtinë…një njeri hy në lokal paguan gjithë çfarë po pinim dhe del jashtë. Çfarë vendi. Mirëseardhja më e mirë që kam marrë ndonjëherë, kudo që kam qenë. Vendi i mrekullueshëm”, shkroi një tjetër.

“20 vjet më parë isha duke marshuar helikopterët në të njëjtën fushë ku ishte vendi i shkatërruar nga lufta. Duhet të kursej dhe të kthehem përsëri në Prishtinë”, shkroi një tjetër ndjekës në Twitter.

Përpos falënderimeve të shumta, Kosova u cilësua edhe si një vend me shumë klas sa i përket luftimit të racizmit.

Sigurisht se të gjitha këto fjalë nga anglezët vlejnë shumë për çdo kosovarë që e di se sa e rëndësishme është të jesh falënderues ndaj të gjithë atyre që në kohë të vështira  u përkujdesën për kosovarët dhe mbrojtjen e Kosovës në përgjithësi./Indeksonline/