19:31 / E Hënë, 17 Qershor 2019

Ankesa se në varrezat e dëshmorëve në Velani po varrosen edhe personalitete jashtë UÇK-së

Edhe pse u premtua se do të rregullohet, gjendja e Memorialit  të Varrezave që ndodhet në Velani, nuk ka ndryshuar.

E se gjendja është jo e mirë, e thotë edhe Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale.

“Realisht gjendja në memorialin ‘Ibrahim Rugova’ në Velani për momentin është shumë e keqe sepse aty është vepruar sipas dëshirave apo tekeve të njerëzve pa ndonjë vendim apo ndonjë rregullore siç do të duhej të ishte për në memorial aq të rëndësishëm”, tha për RTV Dukagjinin, Bislim Zogaj.

Sa i përket bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës, Zogaj bën të ditur se kërkesat ndaj Komunës kanë qenë të shumta, por nuk ka pasur përgjigje.

“Unë si drejtor kam kërkuar nga Komuna e Prishtinës të paktën pesë herë takim zyrtar, por deri tash nuk kam hasur mirëkuptim nga Komuna e Prishtinës për t’u ulur dhe për të zgjidhur këtë problem”, tha më tej Bislim Zogaj.

Përveç gjendjes jo të mirë në këtë memorial ka edhe probleme të tjera. Varrezat në këtë lokacion janë përzier.

“Janë bërë edhe varrime të personaliteteve që nuk duhet të jenë në lokacionin e varrezave të dëshmorëve të luftës së UÇK-së”, tha Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës përmes telefonit i ka thënë RTV Dukagjinit se përgjegjëse për këtë kompleks është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Por këta të fundit, thonë se në lidhje me këtë çështje përgjigjet Komuna e Prishtinës.