19:06 / E Shtunë, 03 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Anonymous grupi i hakerëve sulmon qeverinë italiane

Anonymous Italia, grupi i aktivistëve hakerë të lidhur me rrjetin e piratëve informatikë botëror Anonymous, ka nisur një fushatë sulmi kundër portaleve institucionale italiane me objektiv final, të godasin qeverinë e formuar nga koalicioni politik “5 Yje dhe Lidhja”.

Përmes një videomesazhi të shpërndarë në Youtube, hakerat kanë informuar se më 29 tetor e deri më 5 nëntor kanë nisur javën e zezë “black week”, kundër sistemit qeverisës në Itali.

“Në këtë javë synojmë t’i japim fund kësaj heshtje, thuhet në këtë video-komunikatë të tyre. Nëse nuk keni parë asgjë e nëse krimet e kësaj qeverie mbeten të panjohura për ju, këshillojmë të mos i kushtoni vëmendje datës 5 nëntor, por nëse shihni atë që shohim ne, nëse mendoni atë që mendojmë ne, e nëse jeni në kërkim të asaj çka kërkojmë ne, qëndroni pranë nesh për të mos pranuar më gënjeshtrat e mbytjen nga heshtja që detyron ky shtet.”

Anonymous Italia informon se në emër të barazisë, lirisë e drejtësisë, diçka e pazakontë do të ndodhë më 5 nëntor 2018, një zgjedhje jo e rastësishme e kësaj date e lidhur me ngjarjen historike të 5 nëntorit 1605 kur Guy Fawkes, anëtar i një grupi komplotistësh katolikë anglezë tentuan të vrasin mbretin Giacomo të Anglisë e të gjithë anëtarët e parlamentit anglez të mbledhur në Dhomën e Lordëve.