75 Mall Live Search
08:55 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / H F

Anthony Hopkins flet për ndarjen nga vajza: E lashë pas, bëra çfarë munda

Aktori legjendar uellsian, Anthony Hopkins, ka folur hapur për marrëdhënien e tij të ndërlikuar me vajzën, Abigail Hopkins, me të cilën nuk ka qenë në kontakt për plot 24 vjet. Në një intervistë për The New York Times, fituesi i çmimit “Oscar” tregoi se edhe përpjekjet e bashkëshortes së tij aktuale, Stella Arroyave, për t’i afruar, kanë dështuar.

“Sapo nuk mora përgjigje, thashë: në rregull, mirë. I uroj gjithë të mirat, por nuk do të ndahem shpirtërisht për këtë. Nëse dikush dëshiron të jetojë me hidhërim, është zgjedhja e tij,” u shpreh aktori.

Hopkins, i njohur për rolet e tij të paharrueshme në filma si The Silence of the Lambs dhe The Father, tha se e ka pranuar situatën dhe nuk mban më mllef. “Duhet ta pranosh që jemi të papërsosur. Nuk jemi shenjtorë, jemi njerëz që bëjmë më të mirën që mundemi,” tha ai.

Aktori shtoi se ka bërë gjithçka për të kontaktuar me vajzën, por tani dëshiron ta lërë pas këtë pjesë të jetës. “Jeta është e dhimbshme. Njerëzit lëndohen, edhe ne lëndohemi, por nuk mund të jetosh në të kaluarën. Duhet të thuash: ‘Kaloje’. Unë bëra çfarë munda, dhe kaq,” shtoi Hopkins.

Ai pritet të publikojë muajin e ardhshëm autobiografinë e tij me titull “Ne ia dolëm mbanë, fëmijë”, por kur u pyet nëse shpreson që vajza ta lexojë librin, u përgjigj shkurt: “Nuk do t’i përgjigjem kësaj. Jo, nuk më intereson.”