75 Mall Live Search
20:36 / E Diele, 29 Shtator 2019 / indeksADMonline

Anti Korrupsioni si prioritet gjithmonë e më i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane

Gjatë viteve të fundit është parë që lufta kundër korrupsionit është shndërruar në një prioritet i politikës së jashtëme për qeverinë amerikane. Sipas departamentit të shtetit kjo luftë është e domosdoshme sepse lufton krimin e organizuar e terrorizmin; promovon stabilitetin, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokracinë dhe forcon rritjen ekonomike në tregjet e huaja ku bizneset amerikane kanë qasje. Studimet e fundit kanë nxjerrë në pah se prania e madhe e korrupsionit ka shtyrë shumë qytetarë të dëshpëruar në vendet në zhvillim që të përqafojnë radikalizmin fetar e të bëhen pjesë e lëvizjeve terroriste, prandaj korrupsioni është parë si kërcënim i drejtpërdrejtë i interesave amerikane nëpër botë.

Kjo është arsyeja pse Zyra për çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit brenda Departamentit të shtetit e cila është përgjegjëse për nismat anti-korrupsion anembanë globit, ka marrë një mbështetje dhe peshë shumë të madhe kohëve të fundit. Kjo është arsyeja pse kjo zyrë por edhe USAID ka shtuar ndjeshëm fondet për të mbështetur iniciativat anti-korrupsion të ndërmarra në vendet e ndryshme. Zyra në fjalë aktualisht financon dhe administron projekte me më shumë se 4 miliardë dollarë në më shumë se 80 vende ku janë përfshirë mbi 5000 punonjës apo nënkontraktues.

Rritjen e rëndësisë së anti-korrupsionit për politikën e jashtme amerikane e dëshmon më së miri edhe ekzistenca e Ligjit Global Magnitsky. Zanafilla e këtij ligji ka të bëj me Sergei Magnitsky, i cili ishte një llogaritar rus që u fut në burg si pasojë e një procesi gjyqësor të montuar dhe aty vdiq në vitin 2009 pasi u torturua dhe iu mohua ndihma mjekësore. Autoritetet ruse e kishin vënë në shënjestër atë për rolin e tij në denoncimin dhe zbardhjen e një skeme gjigande të mashtrimit të taksave që përfshinte zyrtarë më të lartë qeveritar. Në vitin 2012, Kongresi Amerikan miratoi një ligj me emrin e tij që vendoste sanksione për një listë të zyrtarëve rusë të cilët besohet se ishin përgjegjës për burgosjen dhe vdekjen e tij. Ky ligj parashikonte ngrirjen e çdo pasurie amerikane që ata mbajnë dhe ndalimin e tyre nga hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Mirëpo me rritjen e rëndësisë së luftës kundër korrupsionit në politikën e jashtme të saj, SHBA ndërmori një hap akoma më të rëndësishëm në vitin 2016 duke miratuar Ligjin Global Magnitsky, i cili autorizon institucionet shtetërore amerikane që të vendosin ndalime të vizave dhe sanksione të tjera ndaj politikanëve e zyrtarëve, nga cilido vend në botë, nëse ata janë përgjegjës për korrupsion apo shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Sanksionet e tjera konsistojnë në formën e ngrirjes së pasurisë së tyre apo fondeve që ata mbajnë në bankat amerikane. Në prill të vitit 2017, Presidenti Trump e rikonfirmoi mbështetjen e administratës së tij për këtë legjislacion të rëndësishëm dhe gjithashtu vuri në dukje se administrata e tij ishte në proces të identifikimit dhe përpilimit të një liste të njerëzve të cilët i prek ky ligj si dhe kërkimit të të dhënave për pronat e tyre. Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri bëri shumë bujë fakti që , bazuar në këtë ligj, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në SHBA, ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos dhe familjes së tij, ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla si dhe deputetit socialist Tom Doshi.

Në rajonin tonë ballkanik, anti-korrupsioni si prioritet i politikës së jashtme demonstrohet prej mbështetjes së dhënë për reformat e mëdha të bëra në sistemin e drejtësisë. Kështu për shembull SHBA-të ishin mbështetësit kryesore për reformën radikale në drejtësi në Shqipëri e cila ka konsistuar në krimin e së ashtuquajturës Struktura e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) e cila pritet të vihet në veprim në fund të këtij viti. Në këtë strukturë bëjnë pjesë Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit të cilat do të hetojnë dhe gjykojnë aktet e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjitha veprat penale të zyrtarëve të lartë, të kaluar apo atyre aktualë. Pavarësisht hezitimit fillestar, ligji për krijimin e SPAK-ut u miratua me pjesëmarrjen edhe të opozitës si pasojë e presionit të madh qe erdhi nga amerikanët.

Po ashtu këmbëngulja e SHBA-ve ishte vendimtare edhe në Maqedoninë e Veriut për krijimin e strukturës speciale anti-korrupsion të quajtur Prokurori Speciale për Ndjekjen e Veprave Penale që Lidhen me Përgjimet e Paligjshme. Puna e këtij institucioni të ri që gëzonte mbështetjen perëndimore, çoi në urdhërin e dhënë për arrestimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pas përkrahur edhe krijimin e Byrosë për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci apo si e quajnë ndryshe atje USKOK-u si dhe një strukturë të ngjashme anti-korrupsion në Rumani me emrin Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit. USKOK-u në Rumani ka çuar në gjyq mbi 2000 me sukses dënimi mbi 95% për të akuzuarit. Ndër të dënuarit ka qenë edhe ish kryeministri Ivo Sanader. Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit në Rumani po ashtu ka bërë padi për rreth 12,300 zyrtarë duke burgosur 23 ministra dhe ish kryeministrin Adrian Nastase.