11:27 / E Premte, 25 Dhjetor 2020 / k.v

Anton Quni: Kryeministri Hoti riparoi dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri Kurti

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Anton Quni, ka lavdëruar punën qeverisëse të kryeministrit Abdullah Hoti.

Sipas tij, Hoti ka arritur të riparonte dëmet e shkaktuara nga ish-kryeministri Albin Kurti.

“Një punë e jashtëzakonshme është bërë edhe në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga Qeveria paraprake në marrëdhëniet e vendit tonë me SHBA-në dhe aleatët tanë evropianë”, tha Quni për PrizrenPressin.

Anton Quni në Qeverinë e Kurtit dhe Hotit ka mbajtur postin e ministrit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai tregon se nuk ka pritur që do të biente kaq shpejt Qeveria e Hotit.

“Nuk e kemi pritur edhe pse që nga fillimi kemi pasur herë-herë vështirësi për shumicë parlamentare”, shprehet ai.

Qeveria e Hotit, si pas tij, ka bërë përpjekje që t’u dilte në ballë kërkesave të qytetarëve.

“Ishte mandat i shkurtër dhe Qeveria u përballë me një situatë tejet të rendë si rezultat i pandemisë. Megjithatë, Qeveria ka bërë përpjekje maksimale t’u dilte ballë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve”.

Quni, i cili është edhe kryetar i degës së LDK-së në Prizren, tha se ky subjekt politik është i gatshëm për zgjedhje.

“LDK-ja ka struktura të konsoliduara mirë. Është parti serioze dhe gjithmonë e gatshme për ballafaqim me zgjedhjet”, shprehet ai.