E kritikuan, Antonela reagon pas publikimit të fotos së saj në moshën 12-vjeçare
Ditët e fundit në rrjetet sociale është shpërndarë një foto e dokumentit të identitetit të Antonela Berishës, realizuar në moshën 12-vjeçare.
Ish-konkurrentja e njohur e televizionit ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjete sociale, duke ndarë mendimet e saj mbi standardet e bukurisë dhe presionin mediatik, shkruan Indeksonline.
Antonela shprehet se publikimi i fotos nuk është një eksperiencë e këndshme, por as diçka për t’u turpëruar apo për t’u përdorur si “shantazh” ndaj saj. “Publiku që më ndjek dhe më do më ka vlerësuar gjithmonë për natyrën time të drejtpërdrejtë, transparente dhe popullore,” shkruan ajo, duke shtuar se dëshiron t’u japë një “background story” vajzave që e ndjekin.
Në postimin e saj, Antonela tregon se gjatë viteve ka pasur vështirësi në pranimin e vetes dhe pamjes së saj, si shumë vajza të tjera që ndihen të ndikuara nga standardet e bukurisë. Ajo pranon hapur se ka kryer disa ndërhyrje estetike si otoplastikë, rinoplastikë dhe procedura jo-invazive me fillera, të cilat më vonë i ka shkrirë.
“Me ndërhyrje apo pa ndërhyrje, njerëzit gjithmonë kanë gjetur tek unë diçka që nuk shkon. Derisa kuptova se kush kërkon të gjejë shemti, do ta gjejë, dhe kush kërkon të shohë bukurinë, do ta gjejë gjithashtu,” shkruan ajo, duke theksuar se perceptimi lidhet me “filtrin” e secilit person.
Në mbyllje të reagimit, Antonela dërgon një mesazh inkurajues për vajzat dhe gratë që e ndjekin:
“Në moshën 29-vjeçare nuk pranoj më që të më diktohet si duhet të dukem apo të jem. Këshilla ime është: mos u bëni viktima të standardeve të paarritshme të bukurisë, por mësoni ta doni veten dhe të gjeni kurajon të jeni vetvetja.”/Indeksonline/

