16:49 / E Mërkurë, 27 Janar 2021 / B O

Antony Blinken në krye të diplomacisë amerikane

Senati amerikan konfirmoi zotin Antony Blinken për postin e Sekretarit të ri të Shtetit me një votë dypartiake 78-22. Zoti Blinken u mirëprit nga shumë demokratë, si një ndryshim drejtimi nga politika e jashtme e administratës së Presidentit Trump “Amerika e Para”. Chuck Schumer është udhëheqës i shumicës demokrate në Senat.

“Zoti Blinken është personi i duhur për të rindërtuar dhe rivendosur synimet e sigurisë kombëtare të Amerikës në skenën botërore dhe për të rivendosur instrumentin e parë të fuqisë amerikane – diplomacinë”.

Zoti Blinken ka një eksperiencë të gjatë në politikën e jashtme si në Kongres ashtu edhe si zëvendës sekretar i Shtetit gjatë administatës së Presidentit Obama.Republikanët argumentojnë se eksperienca e tij do ruante vetëm status-quo-në në politikën e jashtme amerikane.

Antony Blinken

Senatori republikan Rand Paul ishte kritik ndaj të kaluarës së kryediplomatit të ri amerikan.

“Zoti Blinken ka qënë mbështetës i fortë i ndërhyrjeve ushtarake në Lindjen e Mesme për 20 vjet. Po mashtrojmë veten nëse mendojmë se do të kemi politika të reja, do të ketë më shumë nga e njëjta politikë.”

Senatorë të tjerë republikanë shprehën mbështetje për zotin Blinken ndërsa kundërshtuan qasjen e administratës së re ndaj marrëveshjes bërthamore me iranin. Jim Risch është senator republikan.

“Marrëveshja me Iranin ishte një dështim kolosal dhe gabim trashanik për politikën e jashtme amerikane. Në bisedën me zotin Blinken, ai nuk ndan këtë mendim. Padyshim që do të punojë me presidentin duke ndjekur politikën e tij dhe kthyer vendin tek marrëveshja bërthamore me Iranin.”

Gjatë një seance konfirmimi javën e shkuar, zoti Blinken u tha senatorëve se marrëdhëniet SHBA-Kinë përbëjnë një shqetësim kryesor.

“Duhet t’i qasemi Kinës nga pozitat e më të fuqishmit dhe jo të dobëtit. Vetëm ne e kemi në dorë këtë gjë. Dhe pozita të forta do të thotë të punosh me aleatët dhe jo t’i denigrosh ata. Ky është një burim force për ne në marrëdhëniet me Kinën”.

Analistët thonë se zoti Blinken do të përballet gjithashtu edhe me detyrën për rindërtimin e Departamentit të Shtetit pas një periudhe të trazuar. Brian Katulis është me Qendrën për Përparim Amerikan.

“Pas katër vitesh nën Pompeo-n, Tillerson-in dhe Trump-in, morali është mjaft i ulët. Por ky problem është edhe më i vjetër. Mendoj se diplomacia ndjen se ka dalë në plan të dytë lidhur me atë që Pentagoni dhe ushtria amerikane kanë bërë, për sa i përket dominimit të politikës së jashtme amerikane dhe qasjes tonë në botë”.

Zoti Blinken do të përballet me këto sfida pas një konfirmimi që relativisht nuk shkaktoi shumë debate. Bob Menendez është senator demokrat.

Ai është i matur, i gatshëm dhe i aftë të përballet me sfidat më komplekse ndaj vendit tonë. Ai është i përkushtuar për të punuar me Kongresin dhe e ka bërë këtë me të dy palët”.

Zoti Blinken është anëtari i katërt i kabinetit të Presidentit Biden që është konfirmuar nga Senati gjatë kësaj jave. /VOA/