75 Mall Live Search
17:20 / E Diele, 08 Mars 2020 / indeksADMonline

Anulimi i fluturimeve për shkak të koronavirusit, kosovarët në aeroportin e Veronës, thonë që s’u njoftuan për këtë vendim

Italia është vendi më i goditur nga koronavirusi në Europë. Sipas raportimeve të fundit numri i të vdekurve ka kaluar mbi 230 persona ndërsa të konfirmuar janë 5.883 të infektuar.

Ndërsa, Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku njoftoi se sot ka pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Koronavirusit.

Kështu dy fluturimet që ishin paraparë të realizoheshin sot nga Prishtina në Veronë dhe anasjelltas janë anuluar.

Derisa qytetarët thonë se për këtë vendim janë njoftuar vetëm nga mediat online.

B.Z kishte udhëtuar 139 kilometra nga vendi ku ishte në Itali për në aeroportin e Veronës, por që qytetarja nga Kosova, thotë se pasi kishte mbërritur në aeroport, kishte marr njoftim (e-mail) nga agjensioni se fluturimi s’do të realizohej.

“Sot kam pasur për të udhëtuar në Prishtinë, në orën 18:00 do duhej të nisej aeroplani. Në media kam parë që janë anuluar fluturimet nga veriu i Italisë, por që më pas kam thirrur agjensionin dhe më kanë thënë që ende asgjë s’është e konfirmuar, kështu për mos ta humbur fluturimin jam nisur nga Piombino Dese ku isha për pushime, për në aeroportin e Veronës sepse sipas rregullave çdo pasagjer duhet të jetë të paktën dy ore më herët. Kur mbërrita në aeroport kam marrë e-mail nga agjensioni në orën 16:30 se është anulu fluturimi”, ka thënë ajo.

Ajo shton tutje se ka pyetur edhe në aeroport se çfarë ka ndodhur, derisa kanë thënë se ky është vendim i shtetit të Kosovës.

“Janë diku 150 qytetarë, pleq e fëmijë kryesisht, të cilët kanë pasur të udhëtojnë në Prishtinë. Mua nesër më duhet të jem në punë, ndërsa s’më ka mbetur tjetër vetëm të shfrytëzojë vijën tokësore, të nisem me makinë, por që nuk di nëse na u lejohet të hym në Kosovë edhe në këtë mënyrë”.

Qytetarja e shqetësuar tha se asnjë shtet veç Kosovës, nuk kishte anuluar fluturimet.

Kujtojmë që Italia e Veriut do të jetë në karantinë. Kryeministri i Italisë ka thënë sot se të paktën 16 milion njerëz tani do të jenë në karantinë në rajonin e Lombardisë dhe gjithashtu në 14 provinca deri në fillim të prillit.

Ndërsa, Kosova fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë rast të shënuar me koronavirus, derisa rastet e dyshuara, të gjitha kanë rezultuar pas testimeve, negativ./Indeksonline