75 Mall Live Search
09:38 / E Mërkurë, 01 Korrik 2020 / indeksADMonline

Anulimi i Ligjit për pagat, Qeveria tregon rrugën që do ta ndjekë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli dje të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorit publik, i cili ishte miratuar në shkurt të vitit 2019. Në vendimin e gjykatës thuhet se “ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës”.

E menjëherë pas këtij vendimi erdhën edhe reagime si nga Qeveria, ashtu edhe shërbyesit civilë.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, për IndeksOnlinen, ka thënë se ndonëse ky ligj u shpall i pavlefshëm,  nuk ka rrugë tjetër veçse miratimit të tij, pa sqaruar më tej për rrugën që do të ndjekë Qeveria.

“Ende nuk e kemi diskutuar, nuk kemi marrë një vendim, por Kosova dhe shërbimi civil  i Administratës shtetërore nuk ka rrugë tjetër përveç miratimit të Ligjit të pagave, i cili në esencë e ka rritur dinjitetin si në punë, si në pagë, të shumicës dërmuese të shërbimit civil”, tha Tahiri për IndeksOnline.

Ndërsa ai ka bërë të ditur se  sot në orën 15:00 do të paraqesin Ligjin për pagat për konsultim publik dhe nga aty presin të marrin më shumë informacione në lidhje me këtë vendim të gjykatës.

“Sot do të vendoset  Ligji për Qeverinë në konsultim publik për miratim paraprak dhe aty shpresoj të marrim vendimin dhe të dimë më shumë nga gjykata, por rrugë tjetër përveç miratimit të Ligjit të pagave nuk ka”, ka nënvizuar Tahiri.

Nga ana tjetër Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është konfuz dhe jo koherent me vetë aktgjykimin e saj të shpallur dy vjet më herët.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është konfuz dhe jo koherent me vetë aktgjykimet e saj të shpallura dy vjet më herët, duke interpretuar në mënyrë të ndryshme të njëjtën çështje, por duke iu përshtatur interesave të Qeverisë se Haradinajt në atë kohë dhe interesave të vetë gjykatësve të kësaj gjykate, të cilët edhe kanë përfituar nga vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave, përderisa me Ligjin për paga, paga e të njëjtëve do të pësonte ulje”, tha Miftaraj për IndeksOnline.

Ai ka thënë se pas kontestimit të këtij ligji, ajo çfarë duhet të bëj Qeveria është që të dërgojë komentet e saj në mënyrë që kjo situatë të mos mbesë pezull e që Kosova edhe më tej të mos mbetet pa Ligjin e pagave.

“Qeveria e Kosovës duhet të adresojë të gjitha komentet sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në dy ligjet e kontestuar.  Vetëm pas adresimit të komenteve të tilla, i njëjti ligj duhet të miratohet në Qeverinë e Kosovës dhe të procedohet në Kuvendin e Kosovës për procedura të mëtejshme”, tha Miftaraj.

Ndryshe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thuhet  se ligji i kontestuar nuk i kishte harmonizuar pagat për të të gjitha sektorët. Ligji parashihte që pagat të përcaktohen në bazë të koeficienteve, nga 1 në dhjetë. Koeficienti më i lartë ishte 10, me të cilin do të paguhen presidenti i Republikës, i pasuar nga niveli 9-të, ku bëjnë pjesë kryetari i Parlamentit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e kështu me radhë. Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit, do të ishte 239 euro./IndeksOnline/