75 Mall Live Search
19:00 / E Mërkurë, 08 Janar 2025 / Z S

Anulimi i përurimit të shkollës në Viti, kryetari Haliti: Me ardhjen e kësaj qeverie ngeci puna, për tri vjet pati stagnim

Sot në orën 10:00, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ishte paraparë të përurojë shkollën “Halil Alidema”, në fshatin Pozheran të Vitisë.

Por, një orë para këtij përurimi, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), njoftoi se aktiviteti në fjalë është anuluar.

Lidhur më këtë ka folur kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.

Ai ka shtuar edhe se, sa i përket arsyetimeve për mos hapjen e shkollës, ato s’kanë arsyeshmëri.

‘‘Qytetarët e dinë saktë si është puna e shkollës fillore e cila është nis 2016. Por Tri vite ka stagnua, me ardhjen e kësaj qeveria këto tri vite s’është punu fare. Tash nuk dëshiroj me hy në procedura, ato janë arsyetime që për mua s’kanë arsyeshmëri. Unë e kam ngritë zërin shumë herë për shkollën. Kjo shkollë ka trashëgimi kulturore-artistike. Ka qenë projekt i komunës dhe ministrisë së Arsimit në atë kohë, por me një periudhë qeveria tjetër ia ka dorëzu ministrisë së Administratës Publike, jo vetëm këtë shkollë disa shkolla. Ka qenë anomali anakronizëm”, u shpreh Haliti në T7

Raportohet se mosfinalizimi i punëve në objektin shkollor ka qenë arsyeja e anulimit të përurimit, shkruan IndeksOnline.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Arta Ajeti, tha për IndeksOnlinen se aktiviteti është shtyrë për një afat tjetër, duke konfirmuar se punimet në shkollë nuk kanë përfunduar./Indeksonline/