Anulohet raportimi i Veliut para Komisionit të çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes

Është anuluar raportimi i ministrit të Brendshëm, Agim Veliu para Komisionit të çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ky raportim ishte paraparë të nisë në orën 10:00, por tashmë është anuluar.
Veliu parashihej që të raportonte, lidhur me kasafortën me dokumente të klasifikuara shtetërore për të cilën MPB-ja tha se ishte gjetur në gjendje jo të rregullt.
Fjala ishte për kasafortën në të cilën ruhen dokumente konfidenciale të ministrit të Punëve të Brendshme, që përmbajnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë e vendit.
Ndryshe, KMDLNJ-ja i rekomandoi dje Kuvendit të Kosovës, që të mos zhvillojë mbledhjet e komisioneve për shkak të situatës së tashme nga COVIDI-19.
Dje janë konfirmuar tri raste të prekura me COVID-19 brenda këtij institucioni: deputeti i LDK-së, Arben Gashi, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi si edhe drejtori i përgjithshëm i çështjeve ligjore dhe procedurale, Xheladin Hoxha.
Gjithashtu, mbrëmë vonë u anulua edhe mbledhja e paralajmëruar e Kryesisë së Kuvendit, që parashihej të mbahej sot./Indeksonline/