75 Mall Live Search
20:33 / E Martë, 16 Qershor 2026 / MSH1

Anulohet tenderi disa-milionësh për ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore të Pejës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për projektin e ndërtimit të objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në sistemin gjyqësor të vendit.

Sipas njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit, procedura ishte zhvilluar për realizimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Pejë, përmes procedurës së hapur dhe me kriter të dhënies së kontratës “çmimi më i ulët”, raporton IndeksOnline.

Vlera e paraparë për ndërtimin e objektit ishte 5 milionë euro.

KGJK-ja kishte pranuar gjithsej tetë tenderë në këtë aktivitet të prokurimit, mirëpo procedura është anuluar pas hapjes së ofertave.

Sipas arsyetimit zyrtar, anulimi është bërë pasi një dispozitë e Ligjit për Prokurimin Publik ka kërkuar ndërprerjen e procedurës.

Në informacionet shtesë të publikuara nga autoriteti kontraktues thuhet se të gjitha ofertat e pranuara janë vlerësuar si të papërgjegjshme, ndërsa anulimi është bërë në zbatim të vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Tenderi ishte shpallur fillimisht më 4 dhjetor 2025, teksa projekti synonte përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore dhe kushteve të punës për institucionet e drejtësisë në këtë komunë.

Me anulimin e procedurës, realizimi i këtij projekti mbetet i shtyrë deri në ndërmarrjen e hapave të rinj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës./IndeksOnline/