Apeli aprovon ankesën e Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”

Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore, duke kthyer çështjen për rishqyrtim. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ky vendim i ri i Gjykatës së Apelit vërteton se kemi pasur të drejtë dhe se veprimi ynë ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin.
E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon KËMBËSORËVE, jo MAKINAVE.
Krejt kjo në përputhje me standardet e BE-së, paralel me praktikat më të mira evropiane dhe në përputhje të plotë me ligjin.
Shndërrimi i një rruge në shesh publik nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës!
– Reduktimi i ndotjes së ajrit nga PM10 dhe NO2 nuk është çështje komoditeti – është çështje shëndeti publik.
– Hapja e qytetit për këmbësorët nuk është çështje estetike – është çështje sigurie dhe barazie sociale.
– Zhvillimi i një hapësire publike për këmbësor në vend të një korridori trafiku nuk është eksperiment – është standardi i domosdoshëm i qyteteve që duan të ecin përpara.
Ne do të vazhdojmë me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik!
Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do të kuptojne se koha e BLLOKADAVE të jashtligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon!