75 Mall Live Search
18:10 / E Shtunë, 12 Korrik 2025 / MSH

Apeli ashpërson dënimin ndaj të akuzuarve që u zunë me gati 50 kg drogë

Gjykata e Apelit të Kosovës ndaj të akuzuarve Muharrem Morina, Nikollë Ukaj, Nue Karica dhe Salih Selmanaj ka ashpërsuar dënimin, duke i dënuar secilin veç e veç me nga 4 vite burgim.

“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë…, NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren…, i datës 24.02.2025, vetëm përkitazi me dënimin, ashtu që kjo gjykatë të akuzuarit Muharrem Morina, Nikollë Nukaj, Salih Selmanaj dhe Nue Karica, për veprën penale për të cilën janë shpallur fajtorë, më pas i merr të vërtetuara dënimet e shqiptuara me gjobë nga gjykata e shkallës së parë në shumë prej 4.000 euro për secilin veç e veç, i gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vitesh dhe gjobë prej 4.000 euro…”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prizren, më 14 shkurt 2025, të akuzuarit Morina, Nukaj, Karica dhe Selmanaj i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, në bashkëkryerje.

Ashtu që Themelorja në Prizren për këtë vepër i ka gjykuar të akuzuarit, secilin veç e veç, me dënim prej dy vitesh e gjashtë muaj burgim dhe gjobë prej 4 mijë euro – sërish secilin veç e veç.

Morinës, shkalla e parë i kishte konfiskuar telefonin “Samsung”;

Ukajt: “iPhone Xs” dhe “Nokia”, para të gatshme – dyqind euro, 11 kartëmonedha nga njëqind euro, një kartëmonedhë pesë euro, si dhe veturën e tij të tipit BMW;

Selmanajt: i është konfiskuar substanca narkotike prej 49.750 kilogramësh, një peshore digjitale, telefoni “Samsung” dhe vetura e tipit “Opel Corsa”;

Ndërkaq Karicës i është konfiskuar telefoni i tipit “iPhone 12 Pro”.

Gjithashtu, Themelorja në Prizren i ka kthyer të akuzuarit Selmanaj pushkën e gjuetisë dhe 30 fishekë të armës, me arsyetimin se nuk kanë qenë mjete të kryerjes së veprës penale.

Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar ankesë me propozim që të akuzuarve t’u shqiptohet dënim më i ashpër.

Ankesë për Selmanajn ka ushtruar edhe avokati Blerim Mazreku, duke kërkuar që të shqiptohet dënim më i butë.

Për Ukajn, avokati Ilir Hoxhaj gjithashtu ka kërkuar dënim më të butë, ndërsa për Karicën, avokati Forti Skori ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim.

Sipas Apelit, vendimi i shkallës së parë është i butë dhe jo adekuat me rrezikshmërinë dhe pasojat e veprës penale.

Gjithashtu, Themelorja në Prizren nuk ka vlerësuar realisht rrethanat lehtësuese dhe rënduese të të akuzuarve dhe rrethanën e pranimit të fajësisë e ka mbiçmuar.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk ka vlerësuar si duhet as sasinë e substancës narkotike prej 49 kilogramësh e 750 gramësh dhe faktin se të akuzuarit kanë qenë të dënuar më parë.

Prandaj Apeli thekson në vendim se në këto rrethana, dënimi i shqiptuar nga Themelorja është i butë dhe duhet të ashpërsohet.

Sipas Apelit, dënimi i shqiptuar do të arrijë qëllimin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.