Apeli i zbut dënimin të riut ashkali që u dënua me 7 vjet e gjashtë muaj për grabitjen e 400 eurove
18 vjeçari, Shenoll Tahiri u dënua me 7 vite burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u gjet fajtor për një grabitje me armë në një pikë të ‘Moneygram’ në Podujevë, në shtator të vitit të kaluar.
Reagime të shumta pati për dënimin e të riut ashkali për grabitjen e 400 eurove në këtë pikë të ‘Moneygram’.
Por Gjykata e Apelit ka njoftuar sot se të akuzuarit në fjalë i është zbutur dënimi nga 7 vjet e 6 muaj sa ishte dënuar, në 5 vjet e gjashtë muaj, raporton Indeksonline.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vendosur sipas ankesave të avokatëve mbrojtës ka marr vendim në rastin e të akuzuarit Sh.T.
Aktgjykimi i shkallës së parë është ndryshuar vetëm sa i përket vendimi mbi dënim.
Për dallim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila të akuzuarin e kishte dënuar më dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj, për veprat penale: “Grabitje” nga neni 329 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve”, nga neni 374 i të njëjtit ligj, Gjykata e Apelit ndaj tij ka shqiptuar dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj.
Gjykata e Apelit gjënë se në praninë e rrethanave lehtësuese të cekura nga gjykata e shkallës se parë, e në mungesë të rrethanave rënduese, e merr si rrethana posaçërisht lehtësuese faktin se i akuzuari vetëm 2 ditë para kryerjes se veprës penale, i ka mbushur 18 vjet, ndërsa nga shkresat e lëndës nuk ka ndonjë dëshmi se ka të kaluar kriminale, që do të thotë se është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin.
Prandaj duke i pasur parasysh këto rrethana konform të Kodit të Procedurës Penale, ka vlerësuar se ka vend për shqiptimin e dënimit më të butë.
Kjo gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar si në dispozitivit të aktgjykimit është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, në funksion të parandalimit të kryesit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe rehabilitimit të tij.