75 Mall Live Search
15:06 / E Hënë, 28 Janar 2019 / indeksADMonline

Apeli ia përgjysmon dënimin të akuzuarit pasi ricilësoi veprën penale nga grabitje në detyrim

Një vit e gjysmë më pak burg do të mbaj Vullnet Hoxhaj, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë për veprat penale të grabitjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Kjo, pasi që Gjykata e Apelit, ka vendosur që veprën penale të grabitjes, për çka Hoxhaj ishte dënuar nga shkalla e parë, ta ricilësojë në vepër penale të detyrimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prizren, më 12 janar të vitit të kaluar, të akuzuarin Hoxhaj e kishte shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes si dhe për veprën penale të armëmbajtje pa leje.Për veprën penale të grabitjes, Hoxhaj ishte dënuar nga shkalla e parë, me tre vite burgim si dhe 2500 euro gjobë, kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, Hoxhaj ishte dënuar me gjobë në lartësi prej 800 euro.

Si dënim unik për të dy këto vepra, gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit Hoxhaj i kishte shqiptuar dënimin prej tre vite burgim dhe 3300 euro gjobë.Paraprakisht, i akuzuari kishte pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.Mirëpo, pas ankesave të palëve, më 7 qershor 2018, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë për sa i përket cilësimit juridik për veprën penale të grabitjes, ashtu që të njëjtën e kishte ricilësuar në vepër penale të detyrimit, duke i shqiptuar të akuzuarit Hoxhaj, dënim unik për të dy veprat penale, në dy vjet burgim dhe 2500 euro gjobë.

Por, duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Myrvete Qollaku, Gjykata Supreme me 12 nëntor të vitit të kaluar, e kishte kthyer rastin në rivendosje për sa i përket veprës penale të detyrimit, kurse pjesën që ka të bëj me veprën penale të armëmbajtjes, Supremja e kishte vërtetuar.

Edhe pas kthimit të rastit në rivendosje nga ana e Supremes, Apeli ka vendosur sërish që të ricilësojë veprën penale të grabitjes në veprën penale të detyrimit, mirëpo, për dallim nga hera e kaluar, kësaj radhe edhe dënimi i shqiptuar ndaj Hoxhajt është më i ulët për gjashtë muaj, apo një vit e gjashtë muaj burgim në krahasim me dy vite sa kishte qenë herën e kaluar.

Po ashtu, krahas dënimit me burg, Hoxhajt i është shqiptuar edhe dënim me të holla në lartësi prej 2000 euro.

“Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë, gabimisht ka aplikuar dispozitën e ligjit penal ku të akuzuarin e ka shpallur fajtor për vepër penale grabitje nga neni 329 par. 1 të KPK-së, ngase, sipas gjendjes faktike të vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë, e të përshkruar më detajisht si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar, me veprimet inkriminuese të akuzuarit Vullnet Hoxhaj, nuk plotësohen elementet e veprës penale të grabitjes nga neni 329 par. 1 të KPK-së, por në rastin konkret kemi të bëjmë me vepër penale të detyrimit nga neni 340 par. 2 të KPK-së”, thuhet në aktgjykimin e Apelit të nxjerrë më 4 janar të këtij viti.

Sipas Apelit, i akuzuari Vullnet Hoxhaj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ndaj të dëmtuarit ka përdorur kanosjen serioze, duke i thënë se do t’ia mbys familjen, nëse i dëmtuari nuk vepron në dëm të pasurisë së tij, pra, duke ia dorëzuar paratë në shumë prej 2.500 euro, aty për aty, ndërsa, në ndërkohë t’ia sjellë edhe shumën tjetër prej 40.000 euro, prandaj, në bazë të këtyre veprimeve, sipas Apelit, nuk mund të bëhet fjalë për vepër penale të grabitjes, por për vepër penale të detyrimit.Duke e shqyrtuar çështjen përkitazi me vendimin për dënimin, Gjykata e Apelit ka gjetur  se pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prizren, se dënimi është i butë nuk qëndrojnë, ndërsa, ato të mbrojtëses së të akuzuarit, janë pjesërisht të bazuara.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, shkalla e parë drejtë ka konstatuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin dhe llojin e lartësisë së dënimit, siç janë sjellja korrekte të akuzuarit në gjykatë, se i akuzuari nuk ka qenë i dënuar më parë, se i akuzuari është i moshës së re, mirëpo sipas Apelit, këto rrethana shkalla e parë  nuk i ka vlerësuar realisht.

“Duke i pasur parasysh të gjitha këto rrethana, rrethanat e cekura në aktgjykimin e ankimuar, rrethanat e rastit konkret, Gjykata e Apelit, një konstatim të tillë të rrethanave e pranon edhe kjo gjykatë, mirëpo, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese të cilat i ka konstatuar gjykata e shkallës së pare, për të akuzuarin si dhe njëkohësisht duke marrë parasysh ricilësimin e veprës penale tani nga Gjykata e Apelit, e me këtë dënimi që parashihet për këtë vepër penale – pra dënim më i butë se sa që është paraparë sipas veprës penale të paraparë me aktakuzë, gjegjësisht aktgjyimin e ankimuar, kjo gjykatë vlerëson se edhe me dënimin e shqiptuar më të butë ndaj të akuzuarit, mund të arrihet qëllimi i dënimit”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.Ndryshe, është kjo hera e tretë që Gjykata e Apelit ka vendosur për këtë lëndë.Gjykata Themelore në Prizren, në qershor 2016, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin për veprat penale të grabitjes dhe armëmbajtjes pa leje, duke e dënuar me tre vjet burgim efektiv dhe 3500 euro gjobë.

Mirëpo, në shkurt të vitit 2017, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, duke e kthyer lëndën në rigjykim.Apeli kishte kthyer lëndën duke arsyetuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të vërtetojë drejtë dhe saktë gjendjen faktike për të cilën e ka dënuar të akuzuarin.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon Vullnet Hoxhajn se më 14 nëntor 2015, rreth orës 17:00, ka grabitur me armë zjarri të dëmtuarin Basri Kryeziu, duke ia marrë të njëjtit sasinë e parave prej 2500 euro.Sipas aktakuzës, i akuzuari e kishte kontaktuar të dëmtuarin për t’ia bërë një “fontanë” në shtëpi, por pasi janë takuar e ka thirrur për ta parë shtëpinë e tij ku duhet të bëhet “fontana”, por më pas të dëmtuarin Kryeziu e ka kërcënuar me armë dhe ia ka marrë 2500 euro.

Aktakuza tutje përshkruan se i dëmtuari ka shkuar në stacionin policor në Prizren, për të raportuar rastin, por i akuzuari Hoxhaj e ka thirrur sërish për të kërkuar një shumë të parave prej 40 mijë euro.Policia kishte shkuar së bashku me të dëmtuarin në vendin e takimit dhe kur ishin takuar i akuzuari dhe i dëmtuari, policia kishin reaguar duke e arrestuar të akuzuarin dhe më pas të njëjtit i është gjetur edhe një armë zjarri pa leje përkatëse për posedim.