Apeli konfirmon aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Nagip Krasniqit, ndryshohet aktvendimi i Themelores

Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke vendosur që procedura penale ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për pesë vepra penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, katër prej tyre në bashkëkryerje, si dhe një vepër penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, të vazhdohet sipas dispozitave të procedurës penale të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.
Me këtë vendim, Apeli konfirmoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përmes vendimit të 23 shtatorit 2025, Apeli ka refuzuar si të pabazuara: ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Nagip Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga, dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Isuf Zejna, avokatit Artan Qerkini.
“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, PS.nr.111.2024, i datës 23.04.2025, ashtu që procedura penale ndaj të akuzuarit Nagip Krasniqi për katër vepra penale në bashkëkryerje, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, një vepre penale, Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, parashikuar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së, dhe një vepre penale, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së, vazhdohet sipas dispozitave të procedurës penale të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në vendimin Apelit.
Themelorja kishte hudhur poshtë akuzën për zbulim të fshehtësisë zyrtare ndaj Krasniqit, rikualifikoi veprat për pikat tjera të aktakuzës
Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 prill 2025, kishte marrë vendim, me të cilin ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, duke hudhur aktakuzën dhe pushuar procedurën penale për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Kurse, për pikat tjera të aktakuzës kishte rikualifikuar veprat penale në një vepër penale në vazhdim “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Përmes aktvendimit të 23 prillit 2025, Themelorja aprovoi pjesërisht kërkesën e mbrojtësit të Krasniqit, avokatit Virtyt Ibrahimaga, duke hudhur pikën VI të aktakuzës së Prokurorisë Speciale dhe pushoi procedurën për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Në këtë pikë, Krasniqi akuzohej se ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK, duke i ndarë me personin jozyrtar- Dejona Mihalin.
Sipas vendimit, për pikat I deri V të aktakuzës, janë rikualifikuar veprat penale, kurse pjesa tjetër e kundërshtimit të parashtruar nga avokati Ibrahimaga, u refuzua si i pabazuar.
“Rikualifikohen veprat penale për të cilat akuzohet Nagip Krasniqi nga pika I deri V е aktakuzës: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, parashikuar nga nenin 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, në një (1) vepër penale, në vazhdim: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, parashikuar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në vendim.
Andaj, sipas Themelores, pasi aktakuza të konisderohet e konfirmuar, shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale në raport me Krasniqin do të zhvillohej për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31, e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal. Ndërsa, ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për hudhjen e aktakuzës, e paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Isuf Zejna, avokati Artan Qerkini.
Kundër aktvendimit të Themelores, në afatin ligjor kishin ushtruar ankesë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokatit Ibrahimaga dhe ai të akuzuarit Zejna, avokati Qerkini.
Prokuroria Speciale kishte ushtruar ankesë mbi bazën e shkeljeve të dispozitave të KPPK-së, shkeljes së Ligjit Penal dhe vërtetimit të gabuar e jo të plotë të fakteve mbi të cilat është nxjerrë aktvendimi ose urdhri, me propozim për Giykatën e Apelit që ta aprovojë ankesën si të bazuar, të anulojë aktvendimin e ankimuar dhe lëndën ta kthejë në rivendosje, ose aktvendimin e ankimuar ta ndryshojë dhe aktakuza të konfirmohet plotësisht.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Ibrahimaga, thuhet se duke mos i theksuar shkaqet e ankesës, i ka propozuar Gjykatës së Apelit që të aprovojë ankesën si të bazuar, ta shfuqizojë pikën 3 të dispozitivit të aktvendimit të ankimuar, dhe t’i shpallë të pavlefshme të gjitha provat e sekuestruara.
Mbrojtësi i të akuzuarit Zejna, avokati Qerkini, kishte ushtruar ankesë mbi bazën e shkeljeve të dispozitave të KPP-së, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Gjykata e Apelit të aprovojë ankesën si të bazuar dhe ta hudhë aktakuzën ndaj të akuzuarit Zejna, apo të anulojë aktvendimin e ankimuar dhe çështja penale të kthehet në rivendosje.
Ndërkaq, Prokuroria e Apelit me parashtresën e 28 majit 2025, ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale në raport me hedhjen e pjesërishme të akuzës për pikën VI, ndaj të akuzuarit Nagip Krasniqi dhe të konfirmohet aktakuza apo aktvendimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje, ndërsa ankesa e mbrojtësit të Krasniqit dhe ajo e mbrojtësit të Zejnës, të refuzohen si të pabazuara./Indeksonline/