Apeli refuzon kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj ministres Gërvalla për mosdeklarim të pasurisë

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Donika Gërvallës, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.
Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj
Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishte paraqitur mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, aplikimit të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljes esenciale të dispozitave të procedures penale.
Keqekolla-Sadiku kishte propozuar që Apeli të ndryshojë aktvendimin e Themelores dhe ta hedh të pabazuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës kishte propozuar që ankesa e mbrojtjes së Gërvallës të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Andaj, Gjykata e Apelit në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili është përpiluar më 10 tetor 2024, gjeti se ankesa e mbrojtjes nuk është e bazuar./Indeksonline/