75 Mall Live Search
19:09 / E Premte, 13 Qershor 2025 / MSH

Apeli “shkund” drejtësinë në Gjilan/ Entela Hyseni rikthehet në bankën e të akuzuarve!

Gjykata e Apelit e Kosovës ka miratuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, me të cilin ishte hedhur poshtë aktakuza ndaj Drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, znj. Entela Hyseni.

E njëjta ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare me një vendim të shpejtë të Gjykatës Themelore në Gjilan, të nxjerrë nga gjyqtari Naser Maliqi. Megjithatë, Gjykata e Apelit vlerësoi se vendimi i shkallës së parë ishte i gabuar.

Në aktvendimin e saj, Gjykata e Apelit thekson se me miratimin e ankesës së Prokurorisë, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan (PKR.nr.25/2025, i datës 02.05.2025), dhe si rrjedhojë, urdhërohet vazhdimi i procedurës penale ndaj të akuzuarës Entela Hyseni për veprën penale:

“Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit”, nga neni 414 par. 1 në lidhje me par. 3, nënpar. 3.2 dhe 3.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata vlerëson se aktakuza e ngritur nga Prokuroria përmban të gjitha elementet e domosdoshme ligjore, të përcaktuara në nenin 235 par. 1 të Kodit të Procedurës Penale. Po ashtu, sipas saj, nuk ekzistojnë arsyet ligjore për hedhjen poshtë të aktakuzës, siç parashihen në nenin 244 par. 1 të po këtij kodi.

Pas shqyrtimit të ankesës dhe të gjithë shkresave të lëndës, Gjykata e Apelit ka konstatuar se:

            •          Vendimi i Gjykatës Themelore ishte marrë pa një hetim të plotë dhe pa administrimin e provave relevante;

            •          Kishte mungesë të dëgjimit të dëshmitarëve të propozuar, përfshirë edhe të dëmtuarin në cilësinë e dëshmitarit;

            •          Gjykata e shkallës së parë nxori përfundime të gabueshme lidhur me ekzistimin ose mungesën e bazës për procedim penal.

Gjykata e Apelit thekson se ekziston dyshim i bazuar mirë se e akuzuara Entela Hyseni ka kryer veprën penale për të cilën është ngritur aktakuza. Ky dyshim buron si nga përshkrimi faktik i dispozitivit të aktakuzës, ashtu edhe nga provat e tjera në lëndë.

Si rrjedhojë, Gjykata e Apelit ka vendosur që:

            •          Aktvendimi i Gjykatës Themelore të ndryshohet;

            •          Procedura penale ndaj të akuzuarës të vazhdojë;

            •          Gjykata e shkallës së parë të caktojë seancë gjyqësore, të administrojë të gjitha provat e propozuara dhe materiale;

            •          Dhe, në përfundim, të nxjerrë një vendim të bazuar në prova dhe në përputhje të plotë me ligjin.