APK çon në prokurori afro 50 kallëzime penale, prej tyre katër deputetë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka dorëzuar kallëzime penale ndaj të paktën katër deputetëve për mosdeklarim të pasurisë. Të njëjtit kanë qenë deputetë edhe në legjislaturën e kaluar dhe aktualisht janë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ata vijnë nga subjekte të ndryshme politike. Përveç tyre, në mesin e 48 kallëzimeve penale të dërguara nga APK-ja në prokuroritë përkatëse, përfshihen edhe këshilltarë ministrash dhe zyrtarë të Avokatit të Popullit.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj tregon se këto kallëzime penale ndërlidhen me deklarimet e pasurisë që janë dorëzuar në vitin 2024.
Në një intervistë për KosovaPress, Buleshkaj thotë se janë edhe rreth 70 kallëzime penale në finalizim që pritet të dorëzohen në organet kompetente.
Buleshkaj nuk dëshiron të tregojë emrat e deputetëve të përfshirë në kallëzimet penale të APK-së për mosdeklarim të pasurisë, pasi siç thotë ai mund të dëmtojë hetimet eventuale.
Por, ai tregon se vijnë nga subjekte të ndryshme.
Për KosovaPress, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, thekson se në kallëzimet penale të dërguara në prokuroritë përkatëse gjatë muajit qershor, janë evidentuar apartamente të padeklaruara, të hyra dhe biznese të pa raportuara.
Ndër të tjera, Buleshkaj potencon se janë shqiptuar dhe shpërndarë 99 gjoba për mosdeklarim të pasurisë. Nga to, siç tregon ai 58 të tyre janë arkëtuar.
Bukeshkaj thotë se këtë vit është më i madh numri i gjobave.
Në fund, Buleshkaj bënë të ditur se në fushën e sinjalizimit është shënuar një rritje e ndjeshme. Ai thotë se vetëm deri në muajin qershor të vitit 2025, numri i rasteve të sinjalizuara në Agjenci ka tejkaluar shifrën e gjithë vitit paraprak.
Në vitin 2023 janë regjistruar 20 raste, në vitin 2024 numri është rritur në 48, ndërsa këtë vit, vetëm për gjashtë muajt e parë, janë sinjalizuar mbi 50 raste.
Sinjalizimi është veprimi përmes të cilit një person (i quajtur sinjalizues) njofton autoritetet për shkelje të ligjit apo veprime të paligjshme dhe joetike që ndodhin brenda një institucioni publik apo privat.
Sinjalizuesit shpesh janë punonjës të atij institucioni që raportojnë korrupsion, keqpërdorim të detyrës, konflikte interesi, ose shkelje të tjera që cenojnë interesin publik.