Aplikacioni kinez i Inteligjencës Artificiale trondit Hollywood-in, industria e filmit e shqetësuar: E ardhmja…
Një model i ri i inteligjencës artificiale për gjenerimin e videove, Seedance 2.0, i zhvilluar nga kompania kineze ByteDance, ka shkaktuar reagime të forta në industrinë e filmit, pasi është në gjendje të krijojë video me cilësi kinematografike, përfshirë dialogë dhe efekte zanore, vetëm nga udhëzime të shkruara.
Studio të mëdha si Disney dhe Paramount kanë ngritur akuza për shkelje të të drejtave të autorit, duke dërguar letra paralajmëruese ndaj kompanisë.
Modeli, i lançuar fillimisht në qershor 2025 dhe i përditësuar tetë muaj më vonë, u bë viral pas publikimit të klipeve që paraqesin personazhe të njohur si Spider-Man, Deadpool dhe Darth Vader. Disa nga videot më të shpërndara tregojnë gjithashtu aktorin Will Smith në skena të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat duken si prodhime me buxhet të lartë.
Sipas ekspertëve të industrisë, Seedance 2.0 shënon një hap të ri në zhvillimin e teknologjisë së gjenerimit të videove, pasi kombinon tekstin, imazhin dhe audion në një sistem të vetëm. Krahasuar me modele të tjera si OpenAI Sora dhe platforma si Midjourney, teknologjia e ByteDance konsiderohet më e avancuar në realizimin e skenave komplekse aksioni dhe në krijimin e realizmit vizual.
Megjithatë, polemikat lidhen kryesisht me përdorimin e përmbajtjeve të mbrojtura nga e drejta e autorit. Disney, e cila zotëron françiza si Marvel dhe Star Wars, ka kërkuar ndërprerjen e përdorimit të personazheve të saj.
Raste të ngjashme janë parë edhe më herët në industrinë e IA-së: në vitin 2023, The New York Times paditi OpenAI dhe Microsoft për përdorim të paautorizuar të përmbajtjes, ndërsa Reddit ndërmori veprime ligjore ndaj firmës së IA-së Perplexity AI për grumbullim të paligjshëm të të dhënave.
Ekspertët e etikës së inteligjencës artificiale theksojnë se përtej aspektit ligjor, sfida kryesore mbetet ndërtimi i sistemeve që menaxhojnë licencimin, pagesat dhe etiketimin e përmbajtjes për të parandaluar mashtrimet dhe keqpërdorimet.
Ndërkohë, për studiot e vogla, teknologjia paraqet një mundësi të madhe. Kompani të prodhimit në Azi theksojnë se me ndihmën e AI-së mund të realizojnë projekte në zhanre si fantastiko-shkencor apo aksion, që më parë kërkonin buxhete të paarritshme. Sipas tyre, kjo mund të transformojë tregun e mikrodramave dhe videove me buxhet të ulët.

