Apostolova për vendimin e Veselit: Pres të shoh standarde të tilla edhe nga partitë tjera
Vendimi i djeshëm i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për të larguar nga pozitat partiake dhe institucionale zyrtarët e kësaj partie që kanë aktakuza nga institucionet e drejtësisë në Kosovë ka ngjallur shumë reagime.
Për këtë ka reaguar edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila ka mirëpritur vendimin e Veselit, transmeton Indeksonline.
Në një postim në Twitter, Apostolova ka shkruar se një veprim të tillë e mirëpret edhe nga partitë tjera politike në Kosovë.
“ E mirëpres vendimin e lidershipit të PDK-së për të larguar nga postet publike të gjithë anëtarët e partisë që janë të akuzuar. Presim që ky standard të aplikohet në gjithë spektrin politik, nga të gjitha partitë”, ka shkruar Apostolova.
Kujtojmë se nga ky vendim i Veselit janë larguar nga detyra ministri Besim Beqaj, anëtari i Këshillit të PDK-së, Agim Çeku, këshiltari i kryeparlamentarit, Nijazi Kryeziu etj. /Indeksonline/
