16:58 / E Enjte, 13 Qershor 2019 / indeksADMonline

Apostolova: Po i përcjellim nga afër zhvillimet për ligjin e ri për RTK-në

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, vizitoi RTK-në, ku u prit nga Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Ambasadorja Apostolova tha se për BE-në transmetuesi publik i Kosovës është shumë e rëndësishme të funksionojë i pavarur, larg ndikimeve politike dhe të mbulojë ngjarjet  dhe zhvillimet në interes të publikut.

“Pavarësia financiare e mediumit publik është shumë e rëndësishme për funksionimin dhe cilësinë e punës”, tha ajo.

Apostolova tha se ata janë duke i përcjellë nga afër zhvillimet rreth ligjit të ri për RTK-në dhe pas një analize që do t’ia bëjnë ligjit, i cili tashmë ka kaluar në lexim të parë, do të japin edhe komentet e tyre.

“Ne do të reagojmë fuqishëm për çdo pjesë e ligjit për RTK-në që bie ndesh me vlerat e BE-së, ” tha Apostolova.  

Nga ana tjetër Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati tha se RTK-ja, do të vazhdojë ta ruajë pavarësinë editoriale, megjithë problemet financiare dhe atë të pronës, me të cilat po ballafaqohet mediumi publik, RTK-ja vazhdon të jetë mediumi më i shikuar dhe i më besuar në vend.

“Financimi i drejtpërdrejt nga qytetarët i transmetuesit publik, do ta forcojë edhe më shumë pavarësinë  editoriale të RTK-së”, tha Kastrati.