APRK dhe UNDP mbështetin punëkërkuesit për hapjen e bizneseve të tyre

Shend Kabashi nga Prishtina, pak orë para kohës së iftarit nis punën në përgatitjen e pitalkave për klientët e tij. Bashkë me gruan dhe djalin të cilët i ndihmojnë në kuzhinë, ai kujdeset që të përgatisë produkte nga brumi në një mënyrë unike.
Shendi ka studiuar për urbanizëm dhe planifikim hapësinor në Turqi por urbanizmi nuk është e vetmja fushë që ai e ka pasion. Gatimi është një tjetër pasion për të prandaj kishte vendosur të regjistrohej si punëkërkues, ku më pas ka arritur të përfitojë nga Programi i Vetëpunësimit. Në prill 2020, Shendi ka nisur angazhimin në biznesin e tij, “Chip’s and Dip’s” në Prishtinë, fillimisht me shërbime të limituara dhe vetëm me porosi për shkak të pandemisë.
“Meqë jemi në muajin e Ramazanit, jemi fokusuar më shumë në përgatitje të pitalkave. Kemi interesim jo vetëm të kryeqytetasve por edhe të qytetarëve të komunave tjera”.
Kabashi është njëri nga përfituesit e Programit të Vetëpunësimit. Ai është përkrahur nga Agjecioni i Punësimit i Republikës së Kosovës (APRK) me mbështetje të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, nëpërmjet Programeve Aktive të Tregut të Punës 2 (ALMP2).

APRK, në bashkëpunim me partnerët e saj si UNDP po përpiqet të ofrojë mundësi punësimi për punëkërkuesit e regjistruar në Republikën e Kosovës nëpërmjet programeve të ndryshme të punësimit si dhe aftësimit profesional./IndeksOnline/