APRK dhe UNDP vazhdojnë mbështetjen për punëkërkuesit në Kosovë

Blerim Morina kishte planifikuar të hapte biznesin për shumë vite, por kishte menduar se kjo do të mbeste veç një ëndërr dhe nuk kishte shumë shpresë që do ta realizonte qëllimin e tij.
Mirëpo Blerimi nuk hoqi dorë nga ambicia e tij dhe tani është pronar i biznesit që ofron prerje flokësh për meshkuj në qytetin e Pejës, biznes i themeluar vitin e kaluar. Është biznesi i ëndrrave të tij, që atij i shërben si motiv për të filluar punën me humor të mirë çdo ditë.
Blerimi është mbështetur nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, përmes Programit Vetëpunësim, duke ndihmuar përpjekjet e tij për të themeluar biznesin privat. “Unë kam eksperiencë të gjatë si frizer dhe kjo është arsyeja pse gjithmonë kam ëndërruar të kem lokalin tim”, thotë Blerimi.

Situata e krijuar nga pandemia dhe karantina e pasuar ka qenë mjaft sfiduese edhe për Blerimin, por vullneti dhe përkushtimi i madh për klientët e tij e ka ndihmuar atë ti kthehet shpejt punës me sukses. Blerimi është shumë i lumtur që ka mundësi të vazhdojë punën dhe të mbështesë prindërit e tij, si i vetmi i punësuar në familje.
APRK, në bashkëpunim me UNDP, nëpërmjet Programeve Aktive të Tregut të Punës (ALMP2) është duke zgjeruar mbështetjen për qytetarët e papunë në Kosovë.
Kjo po bëhet e mundur nëpërmjet disa programeve që do të shpallen në fund të muajit korrik si: Programi i Vetëpunësimit, Programi për Subvencionim në Pagë dhe Programi për Trajnim në Punë, për punëkërkuesit e regjistruar si të papunë në Kosovë.

Rritja e mbështetjes për punëkërkuesit e papunë vjen sidomos në këtë kohë të vështirë të përballjes me pandeminë COVID-19, me qëllim të krijimit të më shumë mundësive drejt tregut të punës.
Për më shumë, ne po mbështesim edhe Ndërmarrjet/Bizneset që shfaqin interesim dhe gatishmëri për të punësuar punëkërkuesit e regjistruar dhe gjithashtu po përpiqemi të ndihmojmë rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë.