Aprovohet politika kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë (ZQM), me qëllim të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjit për Barazi Gjinore, e ka përpiluar politikën kundër ngacmimit seksual në administratën publike në Kosovë, e cila sot u nënshkrua nga kryeministri Avdullah Hoti.
“Politika kundër ngacmimit seksual në vendin e punës në Kosovë kontribuon fundamentalisht në mbrojtjen e barazisë gjinore si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, me synim të ndalimit të çdo forme të veprimit që çon në cenim të dinjitetit personal të secilit/ës të punësuar në administratën publike. Kjo Politikë paraqitet si domosdoshmëri e implementimit të direktivave të Bashkimit Evropian, të cilat kërkojnë nga institucionet tona plotësim të kritereve të këtij konteksti jashtëzakonisht të rëndësishëm gjatë procesit të integrimeve evropiane”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.
Qëllimi i politikës kundër ngacmimit seksual në administratën publike në Kosovë është që të shërbejë si orientim strategjik dhe instrument konkret në ndërtimin e një mjedisi të punës ku parandalohet dhe sanksionohet secila formë e ngacmimit seksual.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore e vlerëson maksimalisht bashkëpunimin dhe kontributin e Zyrës për Qeverisje të Mirë dhe Zyrës së Kryeministrit, si dhe zotimin për zbatimin e kësaj Politike.
Politika kundër ngacmimit seksual në vendin e punës në Kosovë, e aprovuar sot nga kryeministri Hoti, është nismë e iniciuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, që prej vitit 2008, me mbështetje financiare të USAID dhe E4E -ATRC.