75 Mall Live Search
22:29 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / F.R

Arabia Saudite mirëpret njohjen e Kosovës nga Siria: Vendim historik që forcon paqen dhe bashkëpunimin

Mbreti dhe Princi i Kurorës së Arabisë Saudite kanë mirëpritur vendimin e Republikës Arabe të Sirisë për të njohur zyrtarisht Pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Në një takim të zhvilluar në Riad, mes Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe Presidentit sirian Ahmed al-Sharaa, u zyrtarizua njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Arabia Saudite e ka cilësuar këtë moment si vendim historik të qeverisë siriane, duke theksuar se njohja e Kosovës do të forcojë bashkëpunimin dypalësh dhe do të kontribuojë në paqe, stabilitet dhe mirëqenie për të dy popujt.

Nga ana tjetër, Mbretëria saudite ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe për të përkrahur përpjekjet për zhvillim dhe mirëkuptim mes kombeve.

“Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, LTM Mohammed bin Salman, zhvilloi në Riad një takim trepalësh mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentit sirian Ahmed al-Sharaa. Pas takimit, Siria shpalli zyrtarisht njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Arabia Saudite e mirëpret këtë vendim historik të qeverisë siriane”, duke theksuar se “njohja e Kosovës do të forcojë bashkëpunimin dypalësh dhe do të kontribuojë në paqe, stabilitet dhe mirëqenie për të dy popujt. Mbretëria [e Arabisë Saudite] riafirmon përkushtimin e saj për nxitjen e dialogut, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përparimit të përbashkët në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Me këtë vendim, Siria bëhet shteti i 120-të që njeh Pavarësinë e Kosovës, duke shënuar një arritje të madhe për diplomacinë kosovare./IndeksOnline/