75 Mall Live Search
13:02 / E Premte, 18 Dhjetor 2020 / OSH

Arben Gashi i përgjigjet VV-së: Driton Selmanaj do të vijë në Kuvend sa herë që ftohet e ka për të prezantuar diçka

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka folur në lidhje me ndërprerjen e seancën pas protestës së VV-së, me të hyrë në sallë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, raporton IndeksOnline.

Ai ka thënë se ky është veprim arbitrar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe se nëse deputetët vlerësojnë se kjo Qeveri nuk duhet të funksionojë dhe se ky zëvendëskryeministër nuk duhet të ushtrojë këtë funksion, atëherë ka forma kushtetuese siç është mocioni.

Sipas tij veprimet e Vetëvendosjes, që duke i goditur tavolinat e tyre me duar pamundësuan fjalimin e Selmanajt në Kuvend, janë të papranueshme.

“Nëse Vetëvendosje e vlerëson se në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës nuk duhet të jetë kjo, nëse kanë vërejtje për ndonjërin anëtarë, Kushtetua i parasheh mekanizmat demokratikë, mocioni i mosbesimit apo ndaj ndonjë anëtari të saj”, tha Gashi.

Ai ka thënë se Kuvendi po kapet peng nga kryesuesja e saj, Arbërie Nagavci dhe nga deputetët e Vetëvendosjes.

“Ne deklarojmë se Kuvendi i Republikës po kapet peng nga drejtuesja e Kuvendit dhe nga deputet e partive politike. Drejtuesja e seancës duhet të garantojë kushte që secili deputet të përfaqësojë politikën e  tij të deklarojë”, tha Gashi.

Ai tha se ajo çfarë ka ndodhur sot në Kuvend është veprim i dhunshëm.

“Ajo që ka ndodhur sot është veprim i dhunshëm i VV-së, Kuvendi funksion me shumicë, shumica vendos, nëse janë shumicë që mendoj se kjo Qeveri është e gabuar, nëse mendojnë që ky zëvendëskryeministër nuk duhet të vijë, është mocioni i mosbesimit dhe ai automatikisht, nuk kanë nevojë për veprim të dhunshëm”, theksoi Gashi.