Arbër Hoxha pas fitores ndaj Andorrës: Ky sukses është për gjithë shqiptarët në botë
Arbër Hoxha ka reaguar pas fitores 0-1 që Shqipëria arriti në transfertë ndaj Andorrës, një triumf i rëndësishëm për objektivat e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2026.
Në prononcimin për “DigitAlb”, mesfushori u shpreh se sfida ishte më e vështirë nga sa pritej, por ekipi arriti të reagojë në kohë:
“Ishte një ndeshje e vështirë, e dinim që Andorra do të luante kështu. Për fat të mirë, në pjesën e dytë e ndryshuam impaktin e lojës dhe morëm 3 pikët,” tha Hoxha.
Ai u ndal edhe te forma e tij dhe dëshira për të qenë titullar në ndeshjet vendimtare:
“Gjithmonë është kënaqësi të jem këtu. Trajneri vendos sa do të luaj. Unë jam gati, te klubi luaj çdo tre ditë dhe kam ritmin e lojës. Normalisht, do të doja të isha edhe ndaj Anglisë.”
Mesfushori shtoi se fitoren ia dedikon tifozëve shqiptarë kudo në botë:
“Ia dedikoj këtë sukses gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe atyre që kishin marrë rrugë të largët për të qenë sot në stadium,” përfundoi Hoxha.

