Arbër Tolaj: Presidentja vendosi interesin politik, para atij shtetëror
Arbër Tolaj ka reaguar ndaj vizitës së presidentes Osmani te Faton Peci. 5-shi i AAK-së e ka quajtur si vizitë politike dhe jokredibile.
“Vizita e presidentes, Vjosa Osmani, në Komunën e Mitrovicës, te kryetari Faton Peci, dikur bashkëpartiak, fatkeqësisht nuk reflektoi në rolin e saj kushtetues që duhet ta ketë presidentja e republikës.
Ajo vendosi interesin partiak politik, para atij shtetëror, duke humbur kredibilitetin dhe besueshmërinë që duhet të ketë presidenca. Politizimi i skajshëm, krijoi përshtypjen e rreshtimit të hapur politik.
Kjo nuk i shërben as Mitrovicës, as qytetarëve, e as vetë institucionit të Presidencës. Veçanërisht, shqetësuese ishte afërsia dhe mesazhi politik që u përcoll në linjë me partinë Guxo, të cilën presidentja e ka themeluar bashkë me kryetarin e komunës.
Kjo e vë në pikëpyetje paanshmërinë institucionale që pritet nga posti më i lartë përfaqësues i shtetit.
Presidentja duhet të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, jo zëdhënëse politike dhe as pjesë e kalkulimeve partiake, t’i shërbejë interesit të përgjithshëm, e jo atij partiak”, shkruan Tolaj në reagim.

