12:38 / E Shtunë, 04 Maj 2019 / indeksADMonline

Arbëreshët priten në Komunën e Prishtinës

Arbëreshët e Italisë i kanë shkuar sot për vizitë të parit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, në objektin e komunës së Prishtinës, ku u pritën edhe nga nënkryetari Selim Pacolli.

Për shqiptarët atje foli edhe Zëvendësministri i Diasporës, Afrim Bekteshi, i cili lavdëroi përkushtimin e tyre për ruajtjen e traditës shqiptare.

“Sot është dita e tretë që po e shfrytëzojmë maksimalisht me vëllezërit e motrat tanë arbëreshë dhe çdo gjë po shkon mirë ashtu siç e kemi paraparë. E gjithë kjo u organizua nga Ministria e Diasporës, meqë po njihemi më shumë me njërit-tjetrin dhe po shkëmbejmë më shumë përvojat tona”.

“Institucionet tona po ju presin duar hapur për kontributin dhe sakrificën që keni bërë në aspektin kombëtar dhe keni ruajtur gjuhën, trashëgiminë dhe ritet fetare”, tha Bekteshi.

Ndërkaq kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, shprehu kënaqësinë që sot është me arbëreshët.

“Gjendemi këtu në sallën e kuvendit ku janë 51 përfaqësues të asamblesë, ku kryhen shumë punë për komunën. Prishtina zyrtarisht ka 200 mijë banorë, ku 50 përqind e qytetarëve të Prishtinës janë nën moshën 25-vjeç, 70 përqind janë nën 35-vjeç, e kjo na bën kryeqytetin më të ri në Evropë dhe bën që të ketë potencial të madh të fuqisë punëtore”, deklaroi Ahmeti.

Ai po ashtu i tregoi më shumë edhe për gjeografinë e qytetit dhe për simbolin e hyjneshës në fron, që është gjashtë mije vjet e vjetër dhe që u gjet në qytetin e vjetër të Ulpianës, të cilën e mbajnë edhe si simbol për kryeqytetin.

Ahmeti po ashtu u  bëri me dije arbëreshëve se nxënësit e Kosovës qysh nga shkolla fillore mësojnë për historinë dhe jetën e tyre.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës, Selim Pacolli, iu drejtua në gjuhën italiane , duke i falënderuar për pjesëmarrjen dhe i uroi të ndihen si në shtëpi.

Nga ana a tyre, kryetar i komunës në Pulia dhe përfaqësues i arbëreshëve, Noe Andrea, tha se është shumë i nderuar që po flet në emër të gjithë kryetarëve të komunave: “Në Itali jemi rreth 50 komunitete apo lokalitete arbëreshe. Koncentrimi më i madh i tyre është në Kalabri, në jug të Italisë”.

Pas bisedave në komunë,, arbëreshët pritet ta vizitojnë kryeqytetin.