13:58 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Arbitrazhi, metodë e shpejtë dhe efikase, që garanton zgjidhjen e kontesteve

Arbitrazhi si metodë për zgjidhjen e kontesteve vazhdon të mbetet metodë më efikase dhe më e shpejtë në krahasim me gjykatën. Një gjë e këtillë është konkluduar sot gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku përfaqësuesit e bizneseve diskutuan me njohësit e arbitrazhit.

Ardi Shita, avokat dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Ekonomike Amerikane, tha se njohja në procedurë të shpejtë të vendimeve të arbitrazhit nga gjykata, lehtëson ekzekutimin e vendimit.

Si përparësi të kësaj metode alternative, Shita përmendi shpejtësinë e procesit, dhe gjithashtu lirinë e palës për të dizajnuar procesin ashtu që i njëjti t’i përshtatet më së miri kërkesave të veta.

Sipas tij, klauzola e arbitrazhit e paraparë në kontratë ndihmon palët të jenë më të disiplinuara, gjë kjo që është kritike në çështje ekonomike. 

Njomëza Zejnullahu, këshilltare e lartë ligjore në projektin e USAID për Drejtësinë Komerciale u shpreh se USAID e sheh promovimin e arbitrazhit si të rëndësishëm, pasi që i njëjti ka rol signifikant për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vend.

Ajo tha se qëllimet kryesore të projektit për Drejtësinë Komerciale janë ngritja e kapaciteteve dhe efikasitetit të gjyqësorit sa i përket zgjidhjes së kontesteve ekonomike, mbështetja për krijimin e një gjykate komerciale, përdorimi i mekanizmave alternativ të zgjidhjes së kontesteve, ngritja e vetëdijesimit publik, dhe përmirësimi i infrastrukturës ligjore.

Për më tepër, Zejnullahu shtoi se arbitrazhi dhe gjykatat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Pavarësisht krijimit të gjykatës komerciale dhe rritjes së efikasitetit në atë drejtim, arbitrazhi ka rolin e tij në zgjidhjen e kontesteve, dhe në asnjë moment nuk duhet të konsiderohet si zëvendësim i gjykatës, por si plotësim i saj.

Fëllënza Limani, eksperte ligjore për zyrën e Avokatit Shtetëror, theksoi që arbitrazhi është më pak i zakonshëm në rastet kur institucionet publike lidhin kontratë me një palë private në kontekst vendor.

Limani tha se ekziston një frikë për përfshirjen e klauzolave të arbitrazhit nga institucionet publike, për faktin që nuk ekziston një njohuri më e madhe për funksionimin e arbitrazhit.

Sipas saj, është esenciale që bizneset të jenë më të përgatitura në fushën e arbitrazhit, marrë parasysh që kjo metodë për zgjidhjen e kontesteve është trend botëror në fushën e të bërit biznes.  Tutje, ajo përmendi edhe nevojën për koordinim më të madh ndërinstitucional, si dhe rritje të nivelit të njohurisë mbi arbitrazhin.

Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë do të vazhdojë me organizimin e tryezave mbi vetëdijesimin mbi benefitet e arbitrazhit komercial për bizneset, gjithmonë në qëllim të ngritjes së vetëdijes mbi dukuritë që mund të kontribuojnë në konkurrueshmërinë dhe të bërit biznes në Kosovë.