75 Mall Live Search
22:03 / E Enjte, 08 Janar 2026 / H F

Arbitrazhi ndërkombëtar i kushton Kosovës qindra mijëra euro, kontrata i jepet firmës suedeze

Republika e Kosovës do të përfaqësohet në proceset e arbitrazhit ndërkombëtar nga një firmë ligjore suedeze, pas përfundimit të procedurave të prokurimit nga Ministria e Drejtësisë.

Kontrata për shërbime të ekspertizës ligjore i është dhënë firmës DER Disputes AB, me seli në Stokholm, transmeton IndeksOnline.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, kontrata ka të bëjë me shërbime të ekspertizës ligjore – penale, konkretisht për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në raste arbitrazhi.

Marrëveshja kornizë është paraparë të zgjasë 36 muaj, gjatë të cilave firma e përzgjedhur do të ofrojë shërbime profesionale ligjore në mbrojtje të interesave shtetërore.

Vlera e parashikuar e kontratës ishte 1 milion euro, ndërsa pas procedurave të vlerësimit, vlera e përgjithshme e kontratës së nënshkruar arrin në 840 mijë euro.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se përzgjedhja e firmës ligjore është bërë për shkak të nevojës për përvojë ndërkombëtare dhe ekspertizë specifike në fushën e arbitrazhit, duke marrë parasysh kompleksitetin dhe rëndësinë e këtyre proceseve për shtetin e Kosovës.

Përfaqësimi në arbitrazh ndërkombëtar konsiderohet thelbësor për mbrojtjen e interesave financiare dhe juridike të vendit, veçanërisht në rastet ku Kosova përballet me konteste të natyrës ndërkombëtare.