Arbnora Ademaj: Melisa duhet të eliminohet nga Dance Albania

“Melisa nuk e meriton pozicionin në të cilin ndodhet”, ka qenë kjo frazë e aktores Arbnora Ademaj shkëndija që ndezi diskutimet mes konkurrentëve të spektaklit Dance Albania këtë të hënë.
Por e menjëhershme ishte përgjigjja e Melisës, e cila nuk ia kurseu Arbnorës përgjigjen: “Mendoj për aq pak kohë sa jam këtu, kam arritur goxha. Nuk kam dalë nga dera për të hyrë nga dritarja”, – tha ajo. Megjithatë, përgjigjja ironike për të vënë në pah eksperiencën e Arbnorës në spektakël nuk mbaroi me kaq.
Shkëmbimet e batutave u kanë dhënë hapësirë opinioneve të të gjithë konkurrentëve për të shprehur se cili do të jetë i eliminuari i mbrëmjes. Kështu, Arbnora ka nënvizuar se ajo që duhet të lërë garën është Melisa. Por edhe kjo e fundit zgjodhi po njëlloj: “Me inat shkoi kjo punë, edhe unë Arbnorën do eliminoj”, – tha Melisa.
Edhe konkurrentët e tjerë, pasi u kërkoi Alketa të zgjidhnin cilin do të eliminonin nga gara, e patën të vështirë të zgjidhnin një emër. Siç thanë ata, tashmë janë bërë miq gjatë këtyre javëve, ndaj s’do të donin të eliminonin asnjë.