Ardian Arifaj: Fokusi ndërkombëtar është rikthyer drejt Kosovës – tash ka momentum të favorshëm
Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj, ka thënë se tash ka një momentum të favorshëm për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi.
“Ajo që cilësohet fazë përfundimtare ka filluar, përkundër ngecjes që kemi për shkak të taksës. Kjo do të thotë që është krijuar një momentum shumë i favorshëm edhe në rajon, edhe skenën ndërkombëtare, në favor të një marrëveshjeje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do ta mbyllte kapitullin e luftës”, ka thënë Arifaj në Klan Kosova.
“Momentumi ndërkombëtar është fokus i rikthyer drejt Kosovës, veçanërisht i SHBA-së, me synim që t’i shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes dhe BE-së, që të përmbyllet një proces i cili ka filluar para disa vitesh”.
Arifaj ka dhënë sqarime pse pikërisht tash është momenti që të arrihet marrëveshja Prishtinë – Beograd.
“E vërteta është që tash ka një gatishmëri edhe tek lidershipi në Beograd që së pari të ulen të bisedojnë dhe ta gjejnë një marrëveshje përfundimtare paqësore. Kjo është diçka e re”.
“Është realitet që e krijon një rrethanë të re dhe të favorshme për arritjen e marrëveshjes. Është kusht për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i përmbyllin çështjet e hapura. Ka presion ndërkombëtar që të përmbyllen çështjet e hapura”.